Korçë, PD dhe PS ndajnë në gjysmë 12 mandatet
KORÇE / JORGJETA GJANÇI
Gara mes dy forcave politike në Korçë ishte shumë e fortë dje gjatë gjithë procesit të numërimit, për shkak se të dyja këto subjekte kalonin herë pas herë në avancë me njëra-tjetrën. Nga 421 kuti votimi, gjer në orët e para të mëngjesit të sotëm ishin numëruar 236 kuti. Në Korçë janë 12 mandate deputetesh gjithsej, ku nga numërimi i deritanishëm PD dhe PS do të marrin nga 6 deputetë secila. Rezultati gjer vonë ishte me një avantazh të lehtë, vetëm prej 1 për qind e PS-së. Vetëm në Kolonjë u numëruan dje të gjitha kutitë, ku fituese ishte PS me 50.42 për qind të votave kundrejt 39.43 për qind të PD. Në pesë nga gjashtë qendrat e Korçës filloi numërimi pas mesnatës së të dielës. Ndërsa në qendrën e gjashtë, me numër 29, procesi nisi me vonesë mbasi pritej që të vinte kutia e fundit nga fshati Panarit i Korçës. Kjo kuti arriti në qendrën e numërimit në orën 09:00 të ditës së djeshme. Grupet e numërimit vlerësuan me kujdes çdo votë të qytetarëve. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara këtë herë vihej re se forcat politike kishin vendosur në përbërje të grupeve të numërimit mosha më të reja. Procesi i numërimit gjatë orëve pas mesnate eci me ritme të shpejta, por gjatë ditës kur u pa se gara mes dy forcave kryesore ishte shumë e fortë dhe rezultatet përafronin duke nxjerrë fituese herë PS e herë PD, këto ritme u ngadalësuan. Komisionerët kërkuan pushim, gjë e cila në zonën 31 vazhdoi deri afro 5 orë. Sipas drejtuesve të qendrave të numërimit të votave, në zvarritjen e numërimit, përveç lodhjes së komisionarëve, negativisht ndikonin edhe procedurat e shumta që duheshin kryer në përfundim të numërimit. Në qendrën e numërimit të votave numër 30 pati prishje të kamerës së vëzhgimit, gjë që ndërpreu numërimin deri në rregullimin e saj. Në këtë qendër, numërimi filloi vetëm dje në orën 10:00, mbasi u prit edhe kutia e fundit e fshatit Panarit. Në rezultate konstatohej një epërsi prej 46 votash e PS ndaj PD-së. Probleme pati edhe në disa qendra të tjera votimi, për shkak të parregullsive. Drejtuesit e qendrave të numërimit kanë bërë të ditur se në Pogradec kryeson PS-ja, por janë edhe shumë kuti të pahapura, ndaj ende nuk mund të flitet për rezultate.
qarku korçe
Alenca e Ndryshimit
PD 34749 vota
PR 1367 vota
PAA 300 vota
PDI 29 vota
PAD 193 vota
BLD 406 vota
PLL 226 vota
AMIE 558 vota
PADS 47 vota
PBK 231vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 35330 vota
PSD 1010 vota
PDS 404 vota
PBDNJ 1619 vota G99 538 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 2894 vota
PSV 149 vota