E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i Durrësit me linjë të dytë energjie dhe uji të pijshëm

17/11/2009  Përfiton fonde të tjera, spitali rajonal dhe familjet në periferi vuajnë etjen

DURRES- Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale në Durrës ka fituar të drejtën për të marrë fonde të tjera në kuadër të rregullimit të infrastrukturës së saj si brenda edhe jashtë. Kjo qendër ka nisur së funksionari vetëm një vit më parë dhe pas investimeve të mëdha në krijimin e kushteve sipas standardeve të përcaktuara në kartat evropiane. Projekti që është hedhur për t’u zbatuar me anë të një tenderi të hapur synon të plotësojë tërësisht kushtet për energji elektrike të burgut si dhe të shtrijë rrjetin e ujit të pijshëm në një linjë më vete. Ministria e Drejtësisë ka dhënë 25.8 milionë lekë fonde për linjën e dytë të furnizimit me energji elektrike dhe të sistemit të rrjetit të ujit të pijshëm. Të dy këto linja do të jenë të pavarura nga pjesë tjetër e popullatës pranë Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve të Drejtësisë. Prokurimi ka qenë i hapur dhe ministria e linjës ka pasur si synim ti shkojë deri në fund detyrimeve për kushtet në qelitë dhe dhomat e vuajtjes së dënimit së bashku me mjediset shtesë. Ky institut është në periferi të qytetit të Durrësit në të hyrë të zonës së Kënetës. Qendra është ngritur në ish-spitalin e lënë si dhuratë nga Klubi i Luanëve me një sipërfaqe të bollshme dhe me një rrjet të ri inxhinierik kryesisht i kanalizimeve. Që nga koha kur godina ishte për shërbime civile e deri sa u transformuar për izolimin e të dënuarve për vepra penale nuk kishte furnizim të rregullt me energji elektrike, kurse uji i pijshëm kishte vetëm tubacionet. Objekti u rehabilitua tërësisht me fonde të qeverisë shqiptare dhe pas inspektimit nga ndërkombëtarët është cilësuar si ndër institucionet që plotëson standardet dhe që respekton liritë dhe të drejtat e personave që vuajnë dënimin. Në drejtorinë e burgut thuhet se linja do të jetë krejt e veçantë nga nënstacioni i shpërndarjes deri tek Instituti, ndërsa në një nga degëzimet e magjistralit të ujit të pijshëm do të ketë një linjë enkas për këtë qendër. Në këtë mënyrë Instituti ka mundur të zgjidhë në një kohë të shkurtër çështjen e dritave dhe të ujit të pijshëm. Kjo qendër pati mundësi të përfitonte të tilla fonde, ndërkohë që spitali rajonal apo edhe institucione të tjera nuk kanë ende një linjë të veçantë furnizimi me drita. Edhe pse disa herë është trajtuar dhe vënë në plan të parë çështja e gjetjeve të burimeve të financimit, spitali nuk e ka bërë të mundur linjën e vet të dritave dhe as të ujit të pijshëm. Ndërkohë dhe zonat e tjera periferike vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›