E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i Fushë-Krujës, i dënuari gjendet i varur me çarçaf në izolim

Ekspertët dyshojnë për vetëvrasje për shkak të depresionit. Familjarët hedhin poshtë këtë version duke thënë se ngjarja nuk duhet të mbyllet me aq

Laureta Rryçi

Tiranë - Një i dënuar është gjetur i varur në dhomat e izolimit të Burgut të Fushë-Krujës. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë mesnatës, kur shtetasi 40-vjeçar Artan Paskali nga Lushnja ka varur veten në dhomën e izolimit ku ishte futur nga policia e këtij qyteti. Paskali u gjet dje në mëngjes i pajetë nga gardianët e burgut që në momentin kur po ndërroheshin turnet. Pas ngjarjes mësohet se të parët që kanë reaguar kanë qenë familjarët e të dënuarit. Sipas tyre, 40-vjeçari nuk ka pasur arsye që të vetëvritej dhe dyshojnë se pas vdekjes së tij mund të fshihet një tjetër version për ngjarjen. Sakaq, ekspertët kanë nisur të bëjnë verifikimet e para për të zbardhur të plotë këtë ngjarje që ka ndodhur në ambientet e burgut.
Ngjarja
Burime pranë burgut shpjeguan dje se i dënuari Paskali gjendej në dhomat e izolimit për shkak të një zënke me shokët e qelisë. Të njëjtat burime sqaruan më tej se i dënuari kishte shfaqur edhe më parë shenja depresioni. Kjo për shkak se kishte mëse një vit që asnjë i afërm nuk vinte ta takonte. Ai kishte komunikim me ta vetëm nëpërmjet letrave. Kanë qenë gardianët që e kanë gjetur të varur në dhomën e izolimit. Menjëherë kanë dhënë alarmin te drejtuesit e burgut për ngjarjen në fjalë. Informacioni mësohet se është përcjellë edhe në strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgut dhe më pas kanë mbërritur ekspertët për të ndërtuar versionin mbi ngjarjen.
Problemet
Paskali rezultonte i dënuar për veprën penale të vrasjes. Shkak duket se ka qenë fillimisht një konflikt që kishte pasur me të vëllain për motive banale. Kjo ngjarje duket se ka shërbyer për ta ndëshkuar jo vetëm drejtësia, por edhe të afërmit e tij. Prej mëse një viti ai nuk kishte pasur asnjë vizitë nga familjarët.
Ndërkohë nga veprime paraprake dyshohet për një vetëvarje. Policia dyshon se vetëvarja mund të ketë ndodhur në kushtet e rënda të depresionit. Janë marrë në pyetje edhe policët që kanë punuar në turnin e natës në qelitë e izolimit për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjes së rëndë

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›