E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Qeverisja Berisha, qeverisja e krizave, e predhave dhe e mbërtheckave”



Në konventën e Lëvizjes së Gruas në Integrim, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se LSI-ja do të bëjë çdo gjë për të forcuar familjen shqiptare. "Familja shqiptare është e tronditur, ndaj LSI-ja është e vendosur për të forcuar vlerat e familjes dhe për të mbështetur mbarëvajtjen dhe forcimin e familjes në të gjithë vendin", - tha Meta. Duke iu referuar skandalit të ministrit Pango, Meta deklaroi se ky skandal tregoi se ku ka shkuar qeverisja e sotme dhe ku është katandisur ligji i nëpunësit civil. Sipas tij, në Shqipëri po komandojnë Fazlliçët, që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. "Qeverisja e Berishës është qeverisje e krizave, që nga kriza e predhave deri te kriza e mbërtheckave", - tha Meta. Duke iu referuar kryesocialistit Rama, Meta tha se ai përfaqëson pushtetarin që për 11 vjet rresht nuk ka qenë për asnjë ditë të vetme në opozitë. "Rama po tregon se nuk ka respekt për gratë dhe vajzat shqiptare, ai i përdor ato për të më sulmuar", - tha ai. Sipas Metës, Rama nuk përfaqëson asnjë politikë të re. "Është koha të na thuash pse s'ke bërë një plan të përgjithshëm rregullues për Bashkinë e Tiranës. Tirana është shkatërruar për shkak të betonizimit të bërë nga Rama. Parkun e Rinisë nuk e ktheu Rama, por e ktheu kabineti i qeverisur nga Meta", - u shpreh kryetari i LSI-së. Në konventën e Lëvizjes së Gruas në Integrim, nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, u shpreh se LSI-ja e përfshiu denjësisht gruan në politikë. Sipas saj, mjeti i ndryshimit është politika, politika e bashkëpunimit dhe integrimit. Duke iu referuar kryesocialistit Rama ajo deklaroi se "Rama urdhëron gratë e PS-së të dalin e të hedhin baltë mbi Metën".

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›