Janari 2009, muaj i zi për eksportet dhe importet
Shqipëria ka pasur një aktivitet të ulët ekonomik gjatë muajit janar 2009. Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë janarit Shqipëria ka pësuar ulje të konsiderueshme në shkëmbimet e mallrave me vendet e tjera, duke shënuar një ulje të fortë të deficitit tregtar. Për këtë periudhë të vitit, vendi ynë ka pasur 6.7 miliardë lekë mallra eksporte dhe 28 miliardë lekë importe, duke ngushtuar në 21 miliardë lekë deficitin tregtar të këtij muaji. Kjo shifër është më e ulëta që është shënuar ndonjëherë që nga muaji korrik i vitit 2007. Treguesi pozitiv i uljes së deficitit të shkëmbimeve tregtare me vendet e tjera vjen si pasojë e uljes që kanë pësuar importet dhe eksportet e vendit, duke nxjerrë në pah një ulje të aktivitetit ekonomik të vendit gjatë këtij muaji. Sipas të dhënave, eksportet dhe importet kanë shënuar një ulje të dyanshme në krahasim me muajin paraardhës dhe me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, por rënia më e fortë vërehet në kahun e importeve me 15 miliardë lekë më pak në krahasim me muajin paraardhës dhe 4 miliardë më pak në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2008. Ndërsa eksportet në vlerë kanë një rënie të lehtë prej rreth 300 milionë lekësh ndaj muajit dhjetor dhe, krahasuar me janarin e vitit 2008, diferenca arrin në 880 milionë lekë. Ekspertët thonë se rënia në vlerë e bilancit tregtar vjen nga rënia e çmimeve në tregjet e huaja, duke ndikuar kështu në importe më të lira. Një rënie të konsiderueshme ka pësuar importi i disa grupeve të tjera mallrash, siç janë: grupi "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" me 42 për qind, grupi "Produkte kimike dhe plastike" me 40 për qind, "Ushqime, pije, duhan" 35 për qind dhe grupi "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" me 32 për qind.
7 Mars 2009