Gjykata lë në arrest me burg Sokol Gjeçin për dosjen “Gërdeci”
Tiranë - I arrestuari i fundit për tragjedinë e Gërdecit është njohur dje me masën e sigurisë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se ndaj Sokol Gjeçit prokuroria kishte kërkuar pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Gjatë masës së sigurisë së djeshme që zgjati rreth 15 minuta, i arrestuari është njohur me këtë masë duke mos u zgjatur më tej në pretendimet që mund të kishte ai. Gjeçi është person i katërt, i cili, së bashku me Mihal Delijorgjin Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin ndodhen të arrestuar si përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit 2008. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve “Alba Demil” në Gërdec të Vorës gjetën vdekjen 26 persona, mbi 300 u plagosën dhe u shkatërruan mijëra banesa dhe ndërtesa të tjera funksionale. Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Asim Vokshi, bëri dje vlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa akuza përfaqësohej nga prokurori Arben Dollapi. Sokol Gjeçi akuzohet për vrasje për shkak të cilësive të veçanta të më shumë se dy personave dhe për shkatërrim të pronës. Dy akuza për të cilat do të përgjigjen edhe ish-drejtori i tij, Ylli Pinari, Mihail Delijorgji, pronari i fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit të predhave dhe fishekëve “AlbaDemil” dhe drejtori ekzekutiv i kësaj shoqërie.
Drejtoria e Burgjeve: Raporti i KSHH-së, i pavërtetë
Tiranë - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka cilësuar të pavërtetë raportin e fundit të dalë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Sipas një njoftimi zyrtar, drejtoria ka reaguar pas publikimit të raportit ku thuhej se kushtet në paraburgime dhe burgjet e vendit ishin skandaloze. “Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit për situatën e sistemit të paraburgimit dhe burgjeve në Shqipëri ka pasaktësi dhe jo të vërteta, si dhe metodologjia e përdoruar për hartimin e këtij raporti nuk është progresive. Në këtë raport nuk janë konsideruar iniciativat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Këshilli i Europës për përmirësimin e sistemit penitenciar”, - thuhej në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sarandë, prishja e ndërtimeve pa leje, protestojnë banorët
SARANDË - Në tri nyje të rëndësishme të komunikimit të Ksamilit me Sarandën dhe Butrintin ka ndodhur dy ditë më parë, bllokimi i rrugës nga banorët. Mbi 600 banorë janë grumbulluar duke protestuar operacionet e përsëritura të inspektorateve ndërtimore, të mbështetura edhe nga uniformat blu, për prishjen e ndërtimeve të konsideruara të paligjshme. Veprimi i tyre ka ngjallur protestën e banorëve, pasi 1700 objekte gjenden në proces legalizimi pas vetëdeklarimit të bërë nga pronarët e tyre. Në kundërshtim të operacionit të shembjeve mësohet se nuk kanë munguar as veprimet e dhunshme, të shprehura me goditjen me gurë të makinave të policisë, duke thyer xhamat e tyre. Kjo ka bërë që policia të shoqërojë në komisariat dy prej protestuesve, Adriatik Bufin dhe Robert Myrton. Edhe gjatë ditës së djeshme nuk është ndalur protesta e banorëve ksamiliotë, që kanë vazhduar të shprehin kundërshtimin e tyre për goditjen e ndërtimeve të tyre. Grupe banorësh të revoltuar për këto veprime të policisë ndërtimore kanë protestuar gjatë gjithë paradites së djeshme.
Lezhë, ndalohet 19-vjeçari, abuzoi me një minorene
Lezhë - Policia e Lezhës arrestoi dje në mëngjes një 19-vjeçar, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura. Shtetasi me inicialet K.Ll., lindur dhe banues në fshatin Tale të Rrethit të Lezhës, akuzohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një minorene, në ambientet e lokalit të tij në fshatin Tale. Mësohet se policia ka nisur hetimet intensive për zbardhjen e këtij rasti të rëndë. Pak kohë më parë, në Dibër u arrestua një 20-vjeçar që u akuzua për marrëdhënie seksuale me një të mitur 4-vjeçar. Ngjarja e rëndë tronditi opinionin, ndërsa ndaj 20-vjeçarit u dha masa e arrestit burg pa afat.
Tragjedia e Farkës, familjarët kujtojnë të afërmit e mbytur
TIRANE- Mes lotësh dhe dhimbjesh u kujtua dje 1-vjetori i tragjedisë në Liqenin e Farkës, ku humbën jetën 16 persona. Familjarë dhe të afërm të viktimave kanë hedhur lule në ujërat e liqenit në shenjë kujtimi për të afërmit e tyre. Si dje një vit më parë, 16 persona humbën jetën tragjikisht vetëm pak minuta pasi kishin përfunduar festimet e një ditëlindjeje. Natën duke u gdhirë 6 marsi 2008, barka me 16 persona në bord u mbyt në ujërat e Liqenit të Farkës, në periferi të Tiranës. Një familje u shua, ndërsa 5 familje të tjera humbën njerëzit e tyre më të dashur. Në këtë përvjetor, vaji, pikëllimi dhe zia ka mbuluar familjen Osmani, e cila në këtë tragjedi humbi djalin, nusen dhe dy nipërit 3-vjeçarë. Viktimat do të dilnin në bregun tjetër të liqenit, pasi kishin përfunduar darkën në restorant. Sipas policisë, shkak për mbytjen e varkës ka qenë mbipesha, por edhe një shkëndijë zjarri e krijuar nga kontakti i motorit të varkës me ujin. Mjeti, me të cilin 19 personat tentuan të dilnin në breg, mund të mbante maksimumi 7 persona.
Vajza e re tenton të hidhet në Lanë, e shpëtojnë kalimtarët
TIRANË - Një vajzë e re tentoi të vetëmbytej dje në Lanë, shumë pranë qendrës së Tiranës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:00 në bregun e lumit Lanë, pranë kryqëzimit të rrugës së Elbasanit. Dhjetëra qytetarë dhe policë të ndodhur rastësisht në vendngjarje e ndaluan të renë, e cila ishte duke u vetësakrifikuar. Vajza është përcjellë drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa burimet e policisë bëjnë të ditur se vajza ndërmori aktin tragjik në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike.
7 Mars 2009