Grabitja e “Raiffeisen”, për identikitin e autorit shqyrtohen filmimet e kamerave të sigurisë
Ekspertët kanë vështirësi në identifikimin e grabitësit të maskuar. Pamja e përafërt e grabitësit me ekspertizë të kasetave filmike
Luan Kondi
Tiranë – Ekspertët e Prokurorisë do të shqyrtojnë kasetat e filmuara nga kamerat e sigurisë së Bankës “Raiffeisen” për të nxjerrë të dhëna për identikitin e grabitësit. Duke mos pasur deri tani asnjë gjurmë si dhe vështirësinë e identifikimit të grabitësit pasi ai ishte i maskuar, specialistët kanë gjetur si rrugëdalje krijimin e pamjes së përafërt të grabitësit nëpërmjet ekspertizës së pamjeve filmike që disponohen që në fillim falë filmimeve të kamerave të sigurisë. Jo në pak raste praktika e policive europiane i është drejtuar përcaktimit të pamjeve të autorëve të maskuar të ngjarjeve të rënda.
Hetimi
Pak ditë pas lirimit të një dyshuari për ngjarjen e rëndë në filialin e “Raiffeisen Bank” në afërsi të vendit të quajtur “Zogu i Zi” grupi hetimor i ngritur në Prokurorinë e Tiranës për zbulimin e autorit ka marrë në shqyrtim edhe kasetat filmike të sigurisë së kësaj banke. Lajmi konfirmohet nga burime pranë kësaj prokurorie, të cilat sqarojnë gjithashtu se kjo do të realizohet nga bashkëpunimi me ekspertë të huaj, pasi mungon eksperienca e ekspertëve tanë në këtë drejtim. Përmes kësaj procedure hetimore pritet të administrohen materiale të vlefshme për hetimin e kësaj ngjarjeje. Nga ana tjetër, forcat e policisë kanë shoqëruar mbi 20 persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Por, pas marrjes në pyetje, ata janë lënë sërish të lirë.
Ngjarja
Filiali i “Raiffeisen Bank” pranë “Zogut të Zi”, është grabitur pak ditë më parë nga një person i maskuar dhe i armatosur me pistolete. Nën kërcënimin e armës autori ka mundur të grabisë nga kjo bankë një shumë prej 3 milionë lekësh dhe më pas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Punonjësit janë shokuar kur janë gjendur papritur nën trysninë e armës së grabitësit dhe i kanë dhënë atij gjithçka që kanë pasur në arkë aty për aty. Grabitja nuk ka zgjatur as pesë minuta, ndërsa me largimin e tij punonjësit e bankës kanë dhënë alarmin. Pas ngjarjes, policia ngriti dyshime ndaj një personi konkret të dyshuar si autor i grabitjes, i cili u shoqërua, por më pas u la i lirë për shkak se provat ishin të pakta.
30 Qershor 2008