E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: “Të mblidhet sërish tryeza e opozitës”



Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, u ka bërë thirrje liderëve të opozitës për t’u ulur sërish në bisedime dhe për të garantuar një marrëveshje të re të opozitës përpara se të hartohet Kodi i ri Zgjedhor. Milo, i cili ka qenë i pranishëm gjatë Kongresit të Gruas së PDS-së, tha se është shumë i rëndësishëm bashkimi i opozitës, për të garantuar fitoren e ardhshme në zgjedhjet e vitit 2009. Ndërkohë sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, tha: “PDS vlerëson se zgjedhjet në Kashar do të jenë prova e parë e opozitës së vërtet, e opozitës që refuzon dhe denoncon Berishën, e opozitës që nuk bën pakte të errëta me një qeveri të dështuar dhe të korruptuar. PDS fton të gjithë elektoratin e majtë të votojë kandidatin e përbashkët të LSI-PDS-PADsë për të treguar se e majta e vërtet nuk ka frikë nga përballjet elektorale, edhe me ata që e quajnë veten të mëdhenj. Le të tregojë vota e Kasharit më 27 korrik, kush është i madh dhe kush i vogël, kush di të rritet dhe kush mbetet në vend, apo tkurret nga dritshkurtësia politike”.

“Mbështesim anëtarësinë e PDK-së në Unionin e Partive Demokristiane”

Në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, delegacioni i UDC-së, i kryesuar nga Luixhi Baruffi, vizitoi Spitalin e Shkodrës dhe Vaun e Dejës. Gjatë kësaj vizite delegacioni shoqërohej nga Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka. Në takimin që patën me kryetarin e degës së PDK-së së Shkodrës, Mark Kroqi, Baruffi tha se UDC mbështet Partinë Demokristiane të Shqipërisë dhe e konsideron atë parti aleatë dhe mike. “UDC, do të mbështetë anëtarësimin e PDK-së në Unionin e partive Demokristiane dhe në PPE”. Ai tha se UDC do të mbështet PDK-në në fushatën e ardhshme elektorale, me ekspertët dhe eksperiencën e saj. Gjithashtu Baruffi tha se do të krijojë mundësinë e specializimit dhe trajnimit të politikanëve të ri të PDK-së në Itali.

Topalli: “Autostrada ‘Rrëshen-Kalimash’, mrekulli shqiptare”

“Autostrada Rrëshen-Kalimash është një gjigant që vrapon, është një kolos që na bën të ndihemi krenarë. Ky projekt është një mrekulli e inxhinierisë, e arkitekturës. Është një autostradë në Shqipëri që ne nuk e imagjinonim që mund të bëhej në vitin 2008. Ky projekt mund të imagjinohej vetëm në 2020-n. Kjo është Shqipëria e 2020-s. Kjo është Shqipëria e sotme, është Shqipëria europiane, është Shqipëria e projekteve gjigante, është Shqipëria e veprave që kanë prerë malet përgjysmë, që, siç thonë banorët e kësaj zone, kanë lëvizur malet nga vendi dhe kanë bërë të mundur që shqiptarët të jenë më afër me njëri-tjetrin, që shqiptarët të jenë më afër me europianët”. Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas inspektimeve që ka kryer në rrugën Durrës-Morinë, ku Topalli ka qenë e shoqëruar edhe nga një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›