Vret kushëririn aksidentalisht, tenton të vetëvritet
SHKODËR – Një person ka vrarë me armë zjarri në mënyrë aksidentale kushëririn e tij në Vermosh. Ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, duket se ka tronditur edhe vetë autorin e ngjarjes, i cili, më pas, ka tentuar të vrasë veten. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se shtetasi Gjergj Buja ka qenë në një lokal të zonës, kur ka shkrepur armën pa vullnet dhe ka qëlluar për vdekje kushëririn e tij, Petrit Bujën 28 vjeç. Pas kësaj situate, Gjergj Buja ka kërkuar të vrasë veten me të njëjtën armë të cilën e mbante me vete dhe gabimisht vrau kushëririn e tij. I ndodhur në kushte të thella depresive, i riu është ndaluar nga banorët e zonës Vermosh të cilët ndodheshin në atë moment në lokalin ku ndodhi incidenti. Pas mbërritjes së uniformave blu, autori është shoqëruar në komisariat ndërsa për kushëririn e tij ka qenë tepër vonë për ta shpëtuar, pasi kishte marrë plagë të shumta në trup. Megjithë ndihmën e dhënë, ai është ndarë nga jeta gjatë rrugës për në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ndonëse kanë qenë të pranishëm disa persona në vendngjarje, policia po heton për të gjitha pistat që çuan në këtë vrasje. Ndërkohë, materialet në ngarkim të shtetasit Gjergj Buja i kanë kaluar prokurorisë së rrethit Shkodër, pasi ai akuzohet për veprën penale të vrasjes.
Çamët përkujtojnë ditën e gjenocidit grek
QAFË BOTË - Qindra çamë kanë përkujtuar dje në pikën kufitare Qafë Botë Ditën e Gjenocidit Grek ndaj popullsisë çame. Është i treti vit radhazi që organizohet ky tubim, por ajo çka të binte në sy këtë vit ishte pjesëmarrja e qindra personave të grupmoshave të ndryshme me origjinë çame që ndodheshin në tubim. Ata ishin pajisur me pankarta të shumta ku citonin thirrjet e tyre për pengun më të madh. “Zot na ndihmo të kthehemi në tokat tona”, - ka qenë thirrja në nder të të rënëve çamë gjatë masakrës së paramilitarëve grekë kundrejt popullsisë çame për ti dëbuar nga tokat e tyre. Gjithashtu pjesëmarrës në këtë tubim ishin dhe Shpëtim Idrizi, deputeti çam i PS, Ekrem Spahjia zëvendësministër i Kulturës dhe Bujar Muhedini, kryetar i Partisë Bashikimi për Integrim. Ata janë bashkuar me tubuesit e tjerë në pikën kufitare të Qafë Botës ku ndodhen edhe varrezat e 100 të rënëve çamë nga ky gjenocid. Deputeti socialist Shpëtim Idrizi u shpreh se nga dita në ditë rriten shpresat që çështja çame do të hyjë në rrugën e zgjidhjes. Tubimi në formën e pelegrinazhit ka përsëritur edhe një herë thirrjet drejtuar autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare për ti dhënë zgjidhje një herë e mirë problemit të tyre. Ata kanë kërkuar edhe dënimin me forcë të gjenocidit të ushtruar nga shteti grek mbi ta.
30 Qershor 2008