E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy në pranga për plagosjen, një tjetër në kërkim



VLORË – Dy persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është në kërkim nga policia për plagosjen e ndodhur tre ditë më parë në qytetin e Vlorës. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut tha dje se mes të ndaluarve, përfshihen 30-vjeçari Julian Dervishi dhe vetë i plagosuri, Lulëzim Dajko, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Ergys Aliaj. Sipas saj, ngjarja kishte si bazë motive të dobëta dhe plagosja e 30-vjeçarit erdhi pas një shkëmbimi zjarri mes tij dhe të ndaluarit tjetër, Dervishi. Dy protagonistët e ngjarjes, të cilët rezultojnë të jenë dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”, kishin pasur një grindje mes tyre, gjë që përfundoi me një shkëmbim zjarri në afërsi të vendit të emërtuar "Omonia", në orët e para të së premtes. Gjithashtu, për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim edhe 23-vjeçarin Aliaj, i cili nuk është gjetur në banesë gjatë kontrollit të policisë.

Plagoset, u hodh nga lartësia 10 m në lumë

TROPOJË - Një 15 vjeçar është plagosur rëndë teksa po hidhej nga një lartësi prej 10 metrash në lumë. Burime zyrtare të policisë lokale, thanë se ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, në afërsi të fshatit Begaj, kur 15 vjeçari E. S., ka shkuar për t'u larë në lumin e fshatit bashkë me disa shokë të tij. Ndërsa është hedhur nga një shkëmb rreth 10 metra i lartë në ujë, nuk ka mundur të dalë më dhe në ndihmë i kanë ardhur shokët që e kanë dërguar menjëherë në spitalin civil të qytetit. Pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore, në gjendje mjaft të rëndë 15 vjeçari është dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje dhe po heton në lidhje me motivet e plagosjes së 15-vjeçarit

“Agjësimi” asgjëson 1310 rrënjë kanabis, pa të arrestuar

GJIROKASTËR – Mbi 1300 rrënjë Cannabis sativa janë asgjësuar nga policia në disa parcela që ndodheshin në fshatrat e Tepelenës dhe Gjirokastrës. Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me komisariatin e Tepelenës, gjatë dy ditëve të fundit kanë zhvilluar operacione në rrethet e Tepelenës dhe Gjirokastrës për asgjësimin e bimëve narkotike. Burime nga policia e Tepelenës thanë se në vendin e quajtur “Gryka e Pihoit”, në Përroin e Malit të Luzatit Tepelenë, janë evidentuar dy parcela të hapura rishtas për kultivimin e bimëve narkotike. Ndërsa në vendin e quajtur Pylli i Manastirit, mbi Komunën Antigone të rrethit Gjirokastër janë evidentuar 3 parcela të hapura rishtas për të kultivuar bimë narkotike. Sipas zëdhënësit Gentian Mullai, u evidentuan 1310 rrënjë bimë narkotike, ku disa u prenë dhe të tjerat u dogjën në vendin e kultivimit. Sërish nuk ka asnjë të arrestuar nga policia.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›