E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i Spaçit shndërrohet në muze

Pas shpalljes së burgut famëkeq si monument i kategorisë së parë, IMK-ja ka hartuar projektin për shndërrimin e burgut në muze

Burgu i Spaçit do të shndërrohet në muze në një të ardhme jo të largët. Lajmin e konfirmon për gazetën “Albania” drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, i cili shprehet: “Si Institut i Monumenteve të Kulturës, tashmë kemi hartuar projektin për restaurimin e burgut të Spaçit, pasi ai është shpallur monument historik i kategorisë së parë...”
Sipas projektit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Spaçi, dy vjet pas shpalljes si monument kulture, do të ruhet si një dëshmi materiale e kohës së diktaturës. Projekti në fjalë parashikon rikthimin e një imazhi të burgut të dikurshëm, me rrethim të fragmentizuar, improvizim të disa birucave, dhomave të të burgosurve, galerive të minierës. Mbështetur në përvojat botërore me kampe të tilla, sipas këtij projekti, Spaçi do të kthehet në një destinacion turistik jo vetëm për vendasit, por edhe të huajt, që vijnë në Shqipëri, për të gjetur gjurmët e diktaturës. Burgu i Spaçit funksiononte edhe si kamp pune, duke shfrytëzuar minierën për nxjerrjen e bakrit dhe piritit. Braktisja e tij pas mbylljes në vitin ’88, ka bërë që mjediset të shkatërrohen edhe më keq se më parë, apo të vidhen nga banorë të zonave përreth. Megjithatë, drejtori i IMK-së nuk di të na japë një përgjigje të saktë teksa e pyesim mbi fondin e parave që duhen për të përmbyllur këtë projekt. “Ende nuk dihet se sa do të jenë fondet për restaurimin e mjediseve, por do të shohim mundësitë e mbështetjes nga pushteti vendor (Bashkia e Rrëshenit) si dhe nga ministritë përkatëse.” – thotë Shtylla. Pastaj, në varësi të kohës të akordimit të fondit të nevojshëm për restaurimin dhe rehabilitimin e burgut të Spaçit, sipas drejtorit Shtylla, burgu mund të kthehet në muze, ndoshta dhe brenda këtij viti ose gjatë vitit të ardhshëm.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›