E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, ripyeten familjarët e ish-deputetit

 

Prokuroria e Krimeve të Rënda rimerr në pyetje familjarët dhe të afërmit e ish-deputetit Fatmir Xhindi, i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij në Roskovec, mbrëmjen e 2 majit 2009. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se gjatë tri ditëve të fundit, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e vrasjes së deputetit ka rimarrë në pyetje të afërmit e viktimës. Në deklarimet e tyre, familjarët e Fatmir Xhindit mësohet se kanë pretenduar tek motivi politik i ngjarjes. Sipas burimeve nga organi i akuzës, ripyetja e familjarëve të deputetit është bërë gjatë ditëve të fundit me qëllim sqarimin e disa momenteve të ngjarjes, që kanë mbetur ende të paqarta nga hetimi i deritanishëm. Hetuesit mësohet se kanë kërkuar të dhëna për konflikte të mundshme personale të Fatmir Xhindit, por edhe për mosmarrëveshje të mundshme lidhur me detyrën e tij si deputet. Nga ana e tyre mësohet se familjarët e deputetit kanë mohuar çdo konflikt personal, duke këmbëngulur se hetimi duhet të zbulojë motivin politik të ngjarjes. Organi i akuzës konfirmoi se deklarimet e të afërmve të Fatmir Xhindit kanë dhënë ndihmesë në hetimet e çështjes. Nga ana tjetër, Prokuroria konfirmoi se ka qëndruar në kontakt me të afërmit e deputetit 49-vjeçar, me të cilët është komunikuar në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkaq hetimet e Prokurorisë janë fokusuar në dy pista të vetme, që kanë të bëjnë me vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të deputetit si dhe në mundësinë e konflikteve apo mosmarrëveshjeve personale që mund të ketë pasur Fatmir Xhindi. Në vendin e ngjarjes nuk u arrit të gjendet asnjë provë që të ndihmonte në identifikimin e autorëve të vrasjes. Rreth 15 gëzhoja të një arme automatike tip “kallashnikov” u gjetën brenda oborrit të banesës së Fatmir Xhindit, ku ndodhi ekzekutimi i deputetit. Aty nuk u arrit të fiksoheshin prova të tjera me vlerë identifikuese, ndërsa asnjë dëshmitar deri më tani nuk ka pranuar të ketë parë apo njohur personat që qëlluan deputetin dhe më pas u larguan në drejtim të qendrës së Roskovecit, ku besohet se i ka pritur një automjet. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›