E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi i qeverisë me “Freedom House”

Nga Armand Maho

Pak ditë më parë, zëdhënësja e qeverisë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha në një konferencë për shtyp se organizata e njohur “Freedom House” vlerëson ndjeshëm Shqipërinë për punën e bërë në drejtim të institucioneve. Por, duket se ky është një tjetër mashtrim i pastër i qeverisë. Ditën e deklaratës së saj, po të kërkoje në sitin e kësaj organizate, nuk gjeje asnjë publikim të ri. Edhe në radion “Zëri i Amerikës”, e cila publikon e para botimet e kësaj organizate, nuk shfaqej asnjë gjë. Por panorama u qartësua, kur u mor vesh që Bregu fliste për raportin e qershorit të këtij viti, dhe që publikohet rregullisht në këtë periudhë të vitit nga “Freedom House”.

Nuk është kjo e reja në fakt, por mashtrimi me pavarësinë e institucioneve. Siç dhe vihet re në raportin e publikuar në qershor në “Zërin e Amerikës”, “Freedom House” shpreh shqetësim të thellë për pavarësinë e institucioneve. Dhe imagjinoni që bëhet fjalë për vitin 2007, pa përfshirë këtu diskutimet e nxehta të këtij viti, ku qeveria pa më të voglin dyshim ka bërë hapa të mëdhenj mbrapa.

“Raporti i “Freedom House” për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë e rendit Shqipërinë të parën në rajon për përmirësimin e ndjeshëm të pavarësisë së institucioneve dhe kuadrit ligjor në qendër të të cilit janë gjyqësori dhe prokuroria. Sipas “Freedom House”, nga vendi i fundit që ishte në vitin 2005, këtë vit Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon, duke përmirësuar indeksin me 0.5 pikë, nga 4.5 në 4.00. Raporti vlerëson punën e bërë nga qeveria për miratimin e ligjeve në parlament që vijnë si detyrim i përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, sikurse është ligji i organizimit të gjyqësorit, mbrojtja e të dhënave personale, ndryshimet në ligjin për falimentimin, ndryshime dhe shtesa në ligjin për të drejtat e të dënuarve me burgim apo ndryshimet e bëra në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtave të minorenëve. Gjithashtu, në këtë raport vlerësohen dhe projektligjet e draftuara tashmë nga Ministria e Drejtësisë me ekspertë të huaj dhe vendas”, - tha Bregu në një konferencë për shtyp.

Por, ndër rreshtat e raportit theksohet qartë se koalicioni qeverisës tentoi të kontrollonte institucionet e pavarura. “Në tërësi, qeverisja demokratike kombëtare në Shqipëri, viti 2007, u karakterizua nga prirja e koalicionit qeverisës për të kontrolluar institucionet e pavarura (përfshi Gjykatën Kushtetuese, zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, KLD, dhe Zyrën e Avokatit të Popullit), nëpërmjet emërimit të figurave të lidhura ngushtë me koalicionin qeverisës, si dhe nga dështimi i një opozite të copëzuar për ta kapitalizuar këtë prirje”, - theksohet në raport.

“Freedom House”: Koalicioni qeveritar në Shqipëri ka shfaqur prirje për të mbajtur nën kontroll institucionet e pavarura

Keida Kostreci, Uashington

Zëri i Amerikës

23.06.2008

Në raportin vjetor “Vendet në Tranzicion”, organizata “Freedom House” thotë se me gjithë përmirësimet në Shqipëri, duket se ky vend ka ende rrugë të gjatë për të bërë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Raporti që u bë publik, sot analizon ngjarjet e vitit 2007. Ndërkohë, Kosova është radhitur e fundit ndër vendet e rajonit të Ballkanit.

“Freedom House” arrin në përfundimin se gjatë vitit 2007, koalicioni qeveritar në Shqipëri kishte shfaqur prirjen për të mbajtur nën kontroll institucionet e pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe zyrën e Avokatit të Popullit, përmes emërimit të figurave të lidhura ngushtë me të, si edhe nga dështimi i opozitës për ta shfrytëzuar këtë prirje në favor të saj.

Kris Uoker, drejtori i studimeve në organizatën “Freedom House”, i tha “Zërit të Amerikës” se prirja e elitave politike për të mbizotëruar vihet re në shumë vende të rajonit:

“Mendoj se në rastin e Shqipërisë kemi identifikuar sfida të ngjashme, figura mbizotëruese me pushtet dhe elita politike që në një mënyrë apo një tjetër e përdorin pozitën e tyre për të frenuar zhvillimin që do të ishte shumë i vlefshëm në kuptimin më të gjerë të shoqërisë, për të pasur institucione më të forta që të krijojnë një mjedis ku të mbahet përgjegjësi para qytetarëve dhe për të krijuar rrethanat më të përshtatshme për rritje ekonomike afatgjatë”, - tha ai.

Një nga problemet më të mprehta dhe serioze që përmendet në raport, është reforma në drejtësi. Megjithëse ekziston kuadri ligjor dhe kushtetues për një sistem të pavarur, në raport thuhet se organizimi dhe funksionimi i saj kanë probleme. Ritmi i reformave ishte i ngadaltë në vitin 2007, dhe në raport thuhet se në vend që të kishte një strategji të qartë për një drejtësi efikase, profesionale, të pavarur dhe të përgjegjshme, qeveria u përfshi në retorika të ashpra, duke fajësuar sistemin e drejtësisë si pengesën kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Korrupsioni është pika tjetër kritike që përmendet në raport, ku thuhet, se me gjithë përmirësimin e legjislacionit, klima për biznesin nuk është shumë e favorshme dhe korrupsioni shihet si një nga faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet. Në përgjithësi, thuhet në raport, viti 2007 tregoi se, megjithëse qeveria aktuale erdhi në pushtet me platformën e antikorrupsionit, ajo nuk është e paprekshme prej tij.

Ballkani Jugor, thuhet në raport, përbën sfidën më të konsiderueshme për sa iu takon reformave dhe Kosova radhitet e fundit mes këtyre vendeve me një diferencë të dallueshme.

Megjithëse raporti bën fjalë për vitin 2007, kur nuk ishte shpallur pavarësia, aty thuhet se qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për të luftuar ndaj dobësisë së sistemit të drejtësisë, korrupsionit shumë të përhapur dhe për të zbutur tensionet me pakicën serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›