Përfundon studimi i Gjirit të Lalëzit, krijohet plazhi 660 hektarë
Bregdeti durrsak dhe konkretisht Gjiri i Lalëzit mund të jetë vitin e ardhshëm plazhi i ri i Durrësit. Në bazë të një studimi të realizuar nga specialistët e Këshillit të Qarkut të Durrësit, rezulton se Gjiri i Lalzsit përfaqëson një sipërfaqe prej 660 ha të përbërë nga 125 ha rërë, 345 ha pyll me pisha dhe 190 ha tokë arë ngjitur me pyllin. Tashmë që sezoni turistik është në ditët e fundit të tij, pasi zyrtarisht ai mbyllet në datën 15 shtator, konkluzioni i nxjerrë nga të gjithë aktorët e turizmit në Durrës është se ka ardhur koha për të hapur plazhe të reja, pasi numri i frekuentuesve është disafishuar dhe plazhet aktuale nuk kanë kapacitete për t’i përballuar ato. Bëhet fjalë jo për kapacitetet akomoduese, pasi ato janë me bollëk, por për sipërfaqen e pamjaftueshme të rërës dhe të bregdetit. Nga ana e tij Këshilli i Qarkut të Durrësit ka realizuar një studim mbi Gjirin e Lalëzit, me synim që ai të transformohet në një plazh për të qenë dhe jo të betonizohet, sikurse ka ndodhur me plazhin e Durrësit dhe me atë të Golemit. Nga studimi i kryer rezulton se kjo pjesë e bregdetit është pothuajse e virgjër dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 660 hektarësh. Prej tyre rërë janë 125 ha, pyll me pisha të larta 345 ha dhe tokë arë 190 ha. Këshilli i Qarkut në studimin e tij hedh idenë e ndërtimeve me lartësi të ulët pa kaluar atë të pemëve, ku të ruhen kondicionet dhe distancat, në mënyrë që plazhet të jenë tërheqëse për turistë nga vende të zhvilluara. Por për të ruajtur Gjirin e Lalëzit nga ndërtimet pa kriter kërkohet bashkëpunim i ngushtë mes pushtetit vendor me Ministrinë e Turizmit dhe KRRTRSH, të cilët kanë në dorë lejet e ndërtimit. Lakmia për të siguruar toka në këtë zonë është e madhe tani që rruga Maminas-Gjiu i Lalëzit 20 km e gjatë është në prag të përfundimit. Vlera e tokës arë e cila ndodhet 250 deri 300 larg vijës së ujit ka arritur deri në 100 euro metri katror dhe tendenca është në rritje. Kuptohet se sa do të arrijë vlera e sipërfaqeve me pyje, e cila kufizohet me rërën, që ka një gjerësi nga 100 deri 150 m dhe është krejtësisht e pacenuar nga dora e njeriut. Pritet që sezoni i ardhshëm ta gjejë ndryshe Gjirin e Lalëzit, pasi në dhjetor të këtij viti rruga moderne me të gjithë aksesorët mbërrin në bregdet. Për këtë projekt 2-vjeçar janë investuar 12 milionë dollarë nga buxheti i shtetit.