Masakra e Cërrikut; Mungon avokati i Gashit, dështon për të tretën herë seanca
Për të tretën herë në pak javë dështon seanca për nëntë të pandehurit e akuzuar për masakrën e Cërrikut ku mbetën të vdekur gjashtë gardistë dhe u plagosën 16 efektivë policie. Pamundësia e të pandehurit Entel Gashi për të pasur një avokat, si dhe refuzimi i avokatëve që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të marrë në mbrojtje Gashin, ka detyruar trupin gjykues që të shtyjë sërish seancën gjyqësore. Kjo shtyrje nuk u dha mundësinë avokatëve të paraqesin kërkesat e tyre paraprake apo nëse nuk do kishin, të lejonte dy prokurorët e çështjes që të lexojnë kërkesën për gjykim. Gjithçka ndodhi kur pritej të fillonte normalisht procesi gjyqësor kundrejt të pandehurve të bandës së Cërrikut. Përfaqësuesit ligjorë u paraqitën për herë të parë në seancë duke bërë kështu që edhe procesi të vazhdojë normalisht nën gjykimin e Klodian Kurushit, kreut të trupit gjykues. Vetëm njëri prej të pandehurve, Entel Gashi, nuk kishte në sallë avokatin e tij mbrojtës. I pyetur nga trupi gjykues për arsyet e mosthirrjes së avokatit si dhe për përfaqësim vetjak para fillimit te gjyqit, Gashi kërkoi shtyrjen e seancës duke u shprehur se nuk kishte pse të përfaqësohej vetë pa praninë e një avokati. Sipas trupit gjykues, ky i pandehur ka pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për gjetjen e një avokati dhe në këto kushte këta të fundit vendosën për caktimin e një avokati përkohësisht në mbrojtje të interesave të Entel Gashit. Por, përfaqësuesja ligjore e caktuar, e cila në të njëjtën kohë kishte në mbrojtje një të pandehur tjetër, kërkoi nga trupi gjykues për shtyrje të seancës, pasi nuk ishte njohur ende me aktet e hetimit mbi të pandehurin Gashi. Organi i prokurorisë kërkoi zhvillimin e seancës, por pati një mospërputhje ndërmjet datave të firmosura në lidhje me aktet e kërkesës për gjykim dhe aktet të firmosura nga avokatët të cilat ishin firmosur nga disa përfaqësues ligjorë, por jo nga të gjithë. Kjo çoi dhe shtyrjen e seancës nga gjyqtari Kurushi për javën e ardhshme deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore mbi fillimin e gjykimit. Të pandehurit e këtij procesi janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomor Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.