E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhjet politiko-ekonomike si pistë e hetimit të “Trebickës”

Vdekja duket se vazhdon të jetë lajtmotivi i opozitës ish-komuniste shqiptare. Vdekja, deri tani, aksidentale e një biznesmeni është kthyer në pikën e referimit te të berit opozitë të së majtës shqiptare. “Vdekja”, ky simbol i së majtës tradicionale shqiptare, është rikthyer në politikën e opozitës, kësaj radhe si aktakuzë ndaj kundërshtarëve të tyre demokratë. Kosta Trebicka, një biznesmen i dyshimtë që u bë i njohur në opinionin publik si denoncues i parregullsive të një tenderi për shitjen e armëve, vdiq, zyrtarisht, në një aksident automobilistik. Është pikërisht kjo vdekje që po shfrytëzohet nga opozita e majtë për të akuzuar qeverinë për një ngjarje juridikisht ende të pazbardhur. Fakti që opozita ka nxituar të ngrejë akuza ende pa përfunduar ekspertiza juridike ndërkombëtare, me incidentin në fjalë e bën të pabesueshme pretendimin e së majtës për përfshirjen e qeverisë në këtë incident të pretenduar si “vrasje”. Çdo njeri pa edukimin e mjaftueshëm juridik, e ka të qartë se qeveria është i vetmi institucion që nuk do ta dëshironte kurrsesi një ngjarje të tillë. Në të kundërt, është opozita ajo që po amplifikon apo po përdor një vdekje në pamje të parë aksidentale për përfitime politike ende pa mbaruar zyrtarisht zbardhja e saj. Duke iu larguar retorikës politike, logjika juridike detyron t’i referohesh përfundimit se autori i mundshëm i “vrasjes” së hamendësuar të Trebickës mund të ai që përfiton më shumë nga kjo vdekje. Në post mortumin e tij shohim se opozita po e përdor këtë vdekje si të vetmen alternativë opozitare të saj ndaj qeverisë. Nga zhvillimet e deritanishme, duket se e fituara e madhe nga vdekja e Trebickës, në planin politik, është opozita e majtë, e Ramës dhe e Metës. Kjo, në një këndvështrim të thjeshtë duket normale, por nëse arrin të njohësh me të kaluarën e viktimës Trebicka dhje lidhjet e tij më shumë se politike me të majtën shqiptare, arrin në përfundim se vdekja e tij edhe mund të mos ishte aksident. Në të gjitha praktikat klasike ndërkombëtare të hetimit, pyetja e parë e hetuesit profesionist bërë në rrethana të tilla, është ajo se kush përfiton nga pretendimi i një krimi të tillë. Në rastin konkret, është opozita ajo që po përpiqet të përfitojë më shumë se politikisht nga vdekja e z. Trebicka gjë që e bën atë të dyshuarën kryesore nëse vdekja e tij ishte me të vërtetë vrasje dhe jo aksident.

Dyshimet shtohen nëse ekspertët nuk do të anashkalojnë nga hetimi të kaluarën diktatoriale të viktimës si një prej zyrtarëve më fanatikë të policisë sekrete të diktaturës, Sigurimit të Shtetit. Duke u ndodhur përballe një fakti të tillë, hetuesit, por edhe opinioni publik, kanë të drejtën të ngrenë pyetjen se kë përfaqësonte ekonomikisht dhe politikisht Trebicka, për të arritur pastaj tek shkaqet e mundshme të vdekjes apo vrasjes së tij! Cilat ishin lidhjet e tij me të kaluarën kriminale të Shqipërisë dhe opozitën e majtë trashëgimtare të politikës së ish- komunistëve shqiptarë?! Një tjetër objekt i hetimit duhet patjetër të jetë burimi fillestar i pasurisë dhe biznesit të zotit Trebicka, si fakte shumë të rëndësishme të hetimit mbi mundësitë dhe arsyet e vrasjes së pretenduar të tij nga opozita. Si përfundim, mendoj se ajo që nuk kishte asnjë arsye apo përfitim nga vdekja e zotit Trebicka ishte qeveria, gjë që po e demonstron edhe me qëndrimin e saj të qetë ndaj kësaj ngjarjeje. Mendoj se pistat e hetimit për një vrasje të mundshme duhet të përqendrohen te partnerët apo padronët ekonomikë dhe politikë të viktimës që mund të jenë, sipas shumicës së precedentëve,edhe autorët e mundshëm të atij skenari që detyroi z. Trebicka të denonconte një veprimtari apo trafik, pjesëtar aktiv i të cilit kishte qenë edhe vetë. Kush mund të jetë “vrasësi” i mundshëm i z. Trebicka? Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje ekspertësh dhe natyrisht nuk mund të jetë e përqendruar vetëm tek momenti i denoncimit të parregullsive në tregtinë e armëve, siç po synon opozita, por në lidhjet e vjetra të zotit Trebicka me të kaluarën dhe të tashmen kriminale të opozitës ish-komuniste shqiptare dhe “shndërrimin” e tij nga ish oficer i “Sigurimit të Shtetit|” në një “biznesmen” privat me ndikim në tregun (trafikun) ndërkombëtar të armëve dhe trafiqeve të tjera vdekjeprurëse.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›