E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishkrimi i domosdoshëm i historisë së letërsisë shqipe

E tunduar nga analiza kurajoze dhe profesionale e shkrimtarit Agron Tufa, në mbështetje të mendimit të tij, në lidhje me rishkrimin e letërsisë shqipe, po vazhdoj mendimet e mia mbi këtë temë. Vizionin tim mbi këto probleme madhore që shqetësojnë mbarë komunitetin, i kam paraqitur qysh vitin e shkuar në gazetën “Standard” me titujt: “Rishkrimi i historisë është identitet kombëtar” (11.9.2007); “Fantazma” (25.9.2007); “Për një letërsi ndryshe” ( 20.11.2007); “Çmim vlerash letrare apo politike?!” (25.11.2007). I radhita këta tituj sepse nuk mund të ketë një histori të plotë të kombit me një letërsi të cunguar apo anasjelltas. Nëse njëra i bie gozhdës dhe tjetra patkoit, mjerë lexuesi që ngopet me lugën e zbrazët të një shkrimtari dogmatik, të çekuilibruar, i cili bie ndesh edhe me veten.

Ashtu si historia, e cila shkruhet nga kronikanët, historianët, politikanët (e paanshëm të cilët mbi politikën, ose më mirë mbi interesin vetjak vënë fytyrën e vërtetë të kombit), sociologët, gjuhëtarët dhe studiuesit e kësaj shkence të thellë e pa fund, edhe shkrimtarët japin vlerat e tyre në historinë e letërsisë sonë kombëtare. Ata që e paraqesin me imtësi deri në qelizë shoqërinë shqiptare, evoluimin e saj në etapat e ndryshimeve të mëdha, të ndritura apo të zbehta në art, janë shkrimtarët. Një krijues realist që i pasqyron bëmat e personazheve me vërtetësi, përmes një realiteti real, pa zbukurime apo cungime, me një qëndrim të paanshëm, edukon dhe ngjall respekt te lexuesi. Një numër i konsiderueshëm autorësh të tillë janë ndryshe nga shkrimtarët paraardhës. Këta sjellin një letërsi apo një art të ri ndryshe, që s’ka asgjë të përbashkët me krijimet e soc-realizmit.

Letërsia shqipe, si ajo botërore, ka kaluar dhe do të kalojë përmes etapave të ndryshme nga njëra-tjetra, duke bërë hope, gjithmonë dhe më cilësore. Shkrimtari si pjesë e shoqërisë, për të realizuar vetveten kërkon t’i marrë jetës më të mirat dhe të pasqyrojë atë me vërtetësi. Por bie ndesh me normat që ka vendosur koha e mbrapshtë, të cilat tashmë janë tejet të vjetruara. Kurse ai kërkon të ecë bashkë me kohën. A e lejojnë vallë normat e rregullat e rrënjosura thellë në ndërgjegjen e mediokërve për 45 vjet, të cilët e shohin ndryshimin e së ardhmes si një disfatë apo regres? Jo. Pra, si në çdo fushë tjetër të jetës, politike, ekonomike, juridike, sociale, edhe në fushën e evolucionit artistiko-letrar, e vjetra bëhet pengesë.

Pse ndodh kjo vallë? Shkaku kryesor është egoja ideologjike e shkrimtarëve të soc-realizmit, të cilët u ushqyen, u rritën, formuan qelizën ideore me farën e krisjes që mbolli komunizmi sllav në Shqipëri. Të tejngopur me tituj dhe dekorata për devotshmërinë e zbatimit dhe përhapjes së vijës marksiste -leniniste dhe dogmave prej një partie fitimtare, me krijimet e tyre shkrimtarët helmuan shpirtrat e njomë e të dëlirë të fëmijëve, që nga çerdhja e kopshti e deri në shkollat e mesme. Më pas s’kishin më nevojë për tutorë politikë dhe ideologjikë, sepse ata ishin shndërruar në përçues të mësimeve të partisë. Si mund ta mohojnë shkrimtarët që trumbetuan se Tirana, qendra e komunizmit ortodoks, ishte e vetmja që e mbajti të pastër marksizëm-leninizmin nga revizionizmi; (Dy luanë që ka bota, një Azia, një Evropa). Theksoj ortodoks, sepse Kisha Katolike, i vetmi institucion fetar me shumë kulturë dhe e organizuar mjaft mirë, u shkatërrua qysh në fillim.

Inteligjenca e arsimuar në Perëndim, që do të sillte zhvillimin, u masakrua, u vra, u burgos, u internua. Veprat e autorëve që sollën prozën apo poezinë moderne në shek. XX u ndaluan të botohen apo të qarkullojnë. E vetmja letërsi që ushqente mendjet e etura për dije dhe kulturë, ishte e politizuar fund e krye nga doktrina stal-shqiptare. Fëmija 2-3 vjeç, barktharë, të cilit i mungonin elementet më të domosdoshëm për t’u rritur pa vuajtje, brohoriste: “Xhaxhi Enveri në ballkon, gjithë fatosat i shikon. Xhaxhi Enveri në Tiranë, na ka shpirt dhe na ka xhan”, pa e ditur se cili ishte ky përbindësh. Tek ajo foshnjë lindi dhe u rrit miti i një njeriu “të dashur”, pa emrin e të cilit jeta e tij nuk do të ekzistonte. Këtë njeri, jo vetëm s’e kishte parë kurrë, por atij apo dikujt i kishte vrarë babanë dhe ai duhet ta kishte idhull, perëndi. Ai emër të cilin e gjente në çdo faqe libri a poezie, e kishte bërë njeriun më fatkeq, duke e lënë jetim. Këta fëmijë sot janë të rritur, ndoshta janë prindër apo gjysha. ǒdo t’u thonë vallë fëmijëve a nipërve për diktaturën më të egër që ka njohur njerëzimi, për “njeriun e zi”, i cili pas buzëqeshjes mbillte vdekjen, vuajtjen, mjerimin, mohimin e vlerave njerëzore dhe ndarjen klasore, që i shndërroi shqiptarët në armikun e vëllait ndaj vëllait. Përse duhet të vazhdojë të ekzistojë nëpër faqet e librave një emër kobndjellës? Akoma kërkoni t’ua helmoni jetën fëmijëve me “madhështinë” e fantazmave?!

Pyes: Përse duhet të rishkruhet historia e letërsisë shqipe?

Me këtë pyetje duhet t’i drejtohem mbarë opinionit shqiptar: Jepni mendimet tuaja, se çfarë u intereson fëmijëve të dinë, të mësojnë, për t’u bërë njerëz që t’u përgjigjen kërkesave të kohës?

Ashtu si historia e Shqipërisë, që duhet rishkruar, me një vizion të ri pa mohuar faktet historike, me qëndrim kritik ndaj tyre, ashtu duhet rishkruar historia e letërsisë shqipe. Përse? Sepse sot tek ne nuk e ekziston një histori letërsie.

Zotërinj shkrimtarë të realizmit socialist! Mendimet që dalin sot pas 18 vitesh të përmbysjes së diktaturës komuniste për një jetë ndryshe, një politikë ndryshe, një shtet ligjor, shtetin e së drejtës (që ndryshon nga diktatura), për marrëdhënie shoqërore ndryshe, për një art dhe letërsi ndryshe, shqiptarët kërkojnë një qëndrim ndryshe ndaj këtyre problemeve madhore.

Mendoj se askush nuk duhet të frikësohet se duke rishkruar historinë e letërsisë shqipe, do të shuhen emrat e Buzukut, rilindasve, përhapësve të gjuhës shqipe, emrat e letërsisë së viteve tridhjetë, as të soc-realizmit.

As Buzuku më 1555, as Gavril Dara i Riu, as Serembe, as Naimi e Çajupi dhe as Migjeni nuk ishin komunistë, por u trajtuan si pjesë e stal-shqiptarizmit. A ka gjë më të turpshme, më mashtruese, më të gënjeshtërt? Jo. Nëse Migjeni do të arrinte ta jetonte ferrin komunist, me siguri që do të kishte përfunduar në burg si armik i partisë. Me vargjet e tij të lira, me të cilat nis poezia jonë moderne, e cila është kundër çdo lloj diktature, jam e bindur se atë do ta kishin vrarë si shumë të tjerë. Petro Marko ishte komunist. Përse ia ndaluan qarkullimin e veprave të tij? Vetëm se hodhi hapat e para të prozës moderne.

Sa emra të mëdhenj të mendimit krijues intelektual, me të cilët krenohet bota, i kanë munguar letërsisë dhe filozofisë shqipe. Të tillë si Fishta, Konica, Gjergj Bubani, Cama, Xhaferri, Ernest Koliqi, Mid’hat Frashëri, Isuf Luzi, Kasëm Trebeshina, Beqir Haçi, Safet Butka,Arshi Pipa, përkthyesi Kudret Kokoshi, Havzi Nela, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka etj… Edhe pse kanë shkruar me dhjetëra vepra letrare apo filozofike, lexuesi shqiptar ende nuk i njeh.

Poetët që u burgosën, u vranë, sa të tjerë që nisën të shkruajnë pas viteve ‘90, duke dhënë vlera letrare-artistike, dëshmi e një shqiptarizmi pa mllefe, hakmarrje dhe jashtë çdo lloj politike apo ideologjie. A nuk kanë të drejtë këta krijues të përfshihen në historinë e letërsisë shqipe? Mendoj se në kolanën e letërsisë ka vend për të gjithë ata që japin vlera. Krahas jetës së shkrimtarëve të realizmit socialist, krijimtarisë së tyre letrare të mbarsur me ideologjinë komuniste (e cila vlen të vihet në dukje për cilindo), do të renditen edhe shkrimtarët e viteve të demokracisë apo të harruarit me gjithë kalvarin e vuajtjeve të tyre. Vetëm në këtë mënyrë brezat do të njohin dramën e vërtetë shqiptare. Çdo familje në gjirin e vet kishte disa drama që të gjitha së bashku formonin tragjedinë e shekullit XX. Letërsia dhe skena duhet ta bëjnë të njohur të vërtetën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pa mohuar veprat e autorëve të mëdhenj, ktheni sytë nga letërsia shqipe, se aty do të gjeni veten, një pjesë të jetës suaj.

Ka ardhur koha që të vihen pikat mbi “i” . Krahas publikimit të veprave letrare të shihet edhe vlerësimi i paanshëm. Jo vetëm për vlerën letrare-artistike, por edhe për anën edukative që mbart çdo vepër. Nuk ka mundësi ta ndryshoni psikologjinë tuaj kur trajtoheshit më mirë se gjithë të tjerët, shpërbleheshit më mirë dhe merrnit çmime për devotshmëri ndaj politikës? Forca e pushtetit të letërsisë në gjysmë shekulli nuk ju lë që as të pendoheni dhe as të kërkoni ndjesë, sepse jeni bashkëfajtorë të krimit, ndaj nuk doni të rishkruhet historia e letërsisë. Frika e së vërtetës është një makth që të merr frymën.

Shkrimtarët e rilindur dhe të ringjallur kanë të drejtë të renditen dhe vlerësohen në kushte të barabarta, jo si dëmshpërblim për vuajtjet, por për vlerat artistike-letrare që sjellin. Për fat të keq, kanë ngelur më të harruar se të vdekurit që s’lënë asgjë pas. Cili nga këta fatkeqë ka marrë një çmim, një pension të posaçëm për krijimtarinë e bollshme dhe me vlerë, apo një titull?

Deri tani asnjë, edhe pse janë propozuar dhe i kanë dosjet në institucionet përkatëse. A do të trajtohen këta ndonjë ditë një lloj si shkrimtarët e realizmit socialist? Kjo nis që nga historia e letërsisë shqipe. Në çdo etapë të caktuar historike kanë dalë nismëtarët e një rryme letrare. Cilët janë përfaqësuesit e një letërsie të re, një letërsie ndryshe, letërsi e Realizmit Real që lindi pas viteve 90? Kjo është detyra e Ministrisë së Kulturës, Lidhjes së Shkrimtarëve që duhet të bëjnë sipas vitit të botimit, kritikës dhe publicistikës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›