E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të fton i huaji...!

Me siguri se çdo dashamirës i kulturës dhe literaturës shqipe do ta jetë ndier keq, pse të mos themi i tunduar dhe i irrituar, kur të ketë dëgjuar lajmin se "Gruevski (Kryeministri i Maqedonisë) fton Berishën për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit". Por, jo vetëm për njerëzit e kulturës, historisë, letërsisë, por me siguri, për çdo shqiptar kjo ftesë duhet të ketë tingëlluar e pazakontë, pse të mos themi me doza bezdie. Unë e ndiej dhe e konceptoj si një tendencë të orkestruar dhe ironike, ngase nuk ka se si të fshihet përbuzja që i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo nga kjo ftesë cinike e Gruevskit. Pra, me pak fjalë, kjo ftesë mund të lexohet kështu: "Një gjë që s'di ti ta bësh apo nuk ia di vlerën, ta bëjmë ne". Dhe kështu pra të fton i huaji ta kremtosh festën tënde. Për mrekulli, ne kënaqemi e mashtrojmë vetën me përralla moderne. Kjo është një ironi e sojit më të ashpër që di dhe mund ta kapërdijë vetëm një politikë pa vizione, një politikë pa ideale dhe një politikë pa ndërgjegje kulturore. Janë të kuptueshme "dëshirat" dhe të gjitha arsyet që lidhen me këtë ftesë pompoze nga ana e palës maqedonase, ndërkaq është krejtësisht e pakuptueshme kjo letargji e politikave kulturore të Shqipërisë, që në një jubile të tillë heshtin në mënyrën më të turpshme. Kjo heshtje e institucioneve tona i jep arsye dikujt që ta bëjë një ftesë të tillë, tejet ironike, pra për të kremtuar një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit shqiptar nën organizimin e një shteti të huaj. Dhe politika shqiptare kënaqet me turpet e veta.

Ekziston një diskurs i natyrës politikë, sidomos në vendet tranzicionale, i cili pretendon që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me vlerat kulturore, t'i kundrojë si dukuri politike. Madje, edhe duke i "shfrytëzuar" këto në kuadër të përpjekjeve për fqinjësi të mirë, integrime etj. Në fakt, këto janë farsa. Ky soj diskursi nganjëherë del nga koncepti politik dhe prek çështje të ndjeshme shpirtërore, sikurse është tani fjala me manifestimin në fjalë. Nuk do koment fakti se Kongresi i Manastirit është zhvilluar në një qytet që sot i përket territorit të Maqedonisë, por është një zhvlerësim i turpshëm që për një jubile të tillë, kremtim ekskluzivisht shqiptar, të bëjë ftesë një kryeministër i një shteti fqinj. Këtë soj të çoroditjes e toleron dhe e përpin vetëm politika injorante shqiptare që vazhdon të "hajë, flejë e qesë petulla në ujë", - do të parodizonte i madhi Patër Fishta, ideatori i kësaj ngjarjeje madhore për historinë dhe kulturën shqiptare.

Ftesa e Gruevskit dhe miratimi kaq i pacipët nga politikat dhe institucionet kulturore shqiptare, duhet lexuar përtej një euforie momenti dhe ndjenjës së dashamirësisë ndaj shtetit maqedonas. Në rend të parë, kjo mënyrë e organizmit të njëanshëm nga ana e shtetit të Maqedonisë ka për qëllim ta ulë përmasën kulturore që ka ky kongres në përmasat shqiptare dhe t'i japë konotacione maqedonase. Dhe pse jo, me tendenca dinake, që pas disa viteve të dalë ndonjë segment i këtij shteti me teza se ishin pikërisht ata që e bënë një gjë të tillë, ishin ata që u dhanë shqiptarëve alfabetin perëndimor, ashtu siç dinë dhe manipulojnë sot në mënyrën më të paskrupullt me Nënën Terezë.

Është krejtësisht e kuptueshme se Shqipëria dhe Maqedonia ndërtojnë marrëdhënie fqinjësie të mira, madje është për t'u përshëndetur fakti se Kryeministri maqedonas Gruevski na thërret për të kremtuar jubileun tonë, por kjo dashamirësi ka prapavija aspak dashamirëse. Pikërisht, kjo duhet t'i tronditë politikat tona, duke i zgjuar nga gjumi prej ariu. Institucionet shqiptare kulturore nuk duhet të kënaqen me këtë "kockë pa mish" të hedhur nga i huaji, sepse mund ta na prishë dhëmbët!

Konsideroj se është e panevojshme dhe bezdisëse për lexuesit tanë të flitet për rëndësinë epokale që ka pasur ky kongres për konsolidimin e kombit shqiptar. Madje, është i mirënjohur fakti se ky kongres pati ato rezultate falë mençurisë dhe gjenialitetit që ka dëshmuar çdo herë dhe veçanërisht në atë rast, poeti ynë kombëtar, Patër Gjergj Fishta, pa vendimet e të cilit kongres, historia shqiptare do të mund të merrte drejtime të paparashikuara. Prandaj moskremtimi i këtij jubileu në Shqipëri apo, në rastin tjetër, mos organizimi i përbashkët me Maqedoninë, është një goditje e madhe që i bëhet kësaj ngjarjeje, Patër Fishtës dhe historisë së alfabetit shqip, një histori kjo e njollosur me gjak dhe e persekutuar nga armiq turko-sllavë. Ndërkaq, pikërisht armiqtë e dikurshëm sot na kremtojnë e ne heshtim. Për mashalla! Ky është një soj i turpit më të paskrupullt, që mund ta kapërdijë vetëm ai që s'ka fare ndenjën e përgjegjësisë, mbi të gjitha, nuk ka fare ndjenjën e sinqeritet dhe ndërgjegjësime së çiltër në raport me të kaluarën dhe të tashmen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›