Mesazhi i Grehotit
Pak e dinë se ç’është Grehoti. Përveç faktit që është një fshat në Gjirokastër, pak mund ta dinë se çka ndodhur atje. Në shtator të vitit 1943, 36 nacionalistë shqiptarë u vranë pabesisht nga forcat e kapitulluara fashiste dhe në mes tyre edhe kreu ushtarak i Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica. Kjo ngjarje duket inekzistente për historinë, madje në literaturën e saj pothuaj nuk i kushtohet rëndësi. Por 65 vite më vonë, kjo ngjarje ka ende një mesazh të fortë për vendin tonë. Përtej asaj që mund thuhet shpesh se historia duhet rishkruar (dhe absolutisht që duhet bërë një gjë e tillë), sot duhet të ndodhë diçka tjetër. Kur pyes veten se pse mohohet Grehoti, përgjigjen e gjej diku tjetër dhe jo vetëm tek fakti se historia duhet rishkruar. Por përveç mohimit të Grehotit, në një mënyrë apo tjetër, edhe krimet e komunizmit mohohen. Shqipëria sot është demokratike, por nuk mund të thuhet se është e shëruar. Mesazhi i Grehotit duhet të ndikojë në shoqëri dhe në vendimmarrjen e saj. Por një gjë e tillë nuk po bëhet, edhe pse duket se tentohet apo nuk arrihet, nuk zgjidhet. 20 vjet pas rënies së komunizmit, politika mendon se koha do të largojë vëmendjen nga komunizmi dhe në atë se çfarë ka ndodhur atëherë. Po si mund të harrohen krimet e atij sistemi? Si mund të harrohet lufta e klasave? Këtë nuk e them që duhet hakmarrje, në asnjë mënyrë, por duhet patjetër një katarsis. Këtë çmontim të mbetjeve të sistemit të kaluar nuk është se e kërkojnë ish-të përndjekurit, por e kërkon vetë shoqëria. Po si mund vallë të shkosh në Evropë, kur rrugëve të qyteteve ecin të qetë “kasapët” e sistemit të vjetër, që shpesh japin ide për politikën, madje edhe për vetë integrimin. Po si mund vallë shteti të jetë demokratik, kur në të gjitha hallkat e tij ka elementë që në të kaluarën puna e tyre ishte të bënin keq? Më e çuditshmja është se flitet për dekomunistizim të shoqërisë. 20 vite dhe ende asnjë gjë. Në axhendën e Parlamentit ndodhet një ligj për pastërtinë e figurave, i cili, në rast se miratohet, do të ndalojë që në vendimmarrjen publike të marrin pjesë mbetjet e sistemit të kaluar. Më i frikshëm këtu është fakti se ky ligj konsiderohet si dekomunistizimi. Po çfarë t’i thuash Gjermanisë, e cila ende sot është në proces denazifikimi, edhe pse nazizmi ka 60 vite që ka rënë. Shpeshherë dëgjoj keqardhje për brezat që u rriten në komunizëm, por në fakt, personalisht me vjen keq për ata që po rritet në kohën e sotme. Komplekset e një shoqërie të kalbur, të edukuar mbi punë vullnetare dhe korrupsioni ndërgjegjeje, po jep shembull sot. Kur pyes veten se pse ndodh kjo, natyrisht që përgjigje nuk gjen. Por në fakt nuk është ndonjë çudi e madhe që ndodh e gjithë kjo farsë në këtë realitet, pasi kjo shoqëri ende po mohon Mithat Frashërin, pa le më Grehotin. Liria nuk falet, por fitohet dhe nuk ka se si të ndihemi të lirë pa reaguar vetë. 50 vite komunizëm bënë që vendi ynë të ndihet shterpë. E them këtë, sepse sot miqtë apo të afërmit e mi të cilët kanë jetuar në atë kohë, sot ndihen “të tulatur”, të përhumbur, madje edhe bosh. Breza e rritur në komunizëm kanë ndikimin e tyre edhe sot. Formimi i tyre, krejtësisht pa ideal apo dëshirë për punë, ndikojnë sot që ky vend të cilësohet shpesh edhe prej vetë nesh që “ky vend nuk bëhet”. Dy dekada në pluralizëm politik dhe mendimi, personalisht nuk mund të them që jemi vend demokratik. E ndiej këtë tek zyrtarët që shoh në shtet, të cilët kanë shërbyer edhe në atë kohë. E ndjej këtë edhe në mentalitetin e njerëzve. E ndjej këtë edhe në “frikën” për të folur për komunizmin. Kjo frikë kompensohet më një gjë tjetër. Të gjithë ia hedhin fajin Enverit, duke thënë se “epo ishte sistemi i tillë”. A thua se sistemin nuk e bëjnë njerëzit?!