E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Burrat kallogre”…

• Martin LekaNuk besoj se ka gjë më të vështirë për një gazetar se sa të marrë penën e të shkruajë për një tragjedi, ku humbin jetën njerëz. Përveç disa kronikanëve  (shpesh të “pashpirt”), të cilët shfaqin devocion harbut në emër të “profesionalizmit”, zor se gjen dikë që ta ndërmarrë me dëshirë penën në këtë rast. Kjo sigurisht është pjesë e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë - pse jo, edhe profesionalizmit - që shoqëron gazetarët. Kjo ndodh për shumë arsye, përpos të tjerash edhe për faktin se një gazetar është më së pari një qytetar normal me të gjitha sensibilitetet që ofron jeta njerëzore, përfshirë edhe ato që kanë lidhje me tragjeditë dhe vdekjet…Për të mos i rënë rrotull e rrotull, fjala është për tragjedinë e Farkës të para një jave, ku humbën jetën 16 vetë nga mbytja e një varke. Jo vetëm numri i madh i viktimave, por të gjitha rrethanat e tjera, plotësonin profilin e një tragjedie të vërtetë: një liqen i vogël ku në largësinë e ndodhjes së aksidentit është i kapërcyeshëm me not pa problem nga çdo amator; viktimat nga të njëjtat familje dhe me lidhje miqësie e krushqie me njëra-tjetrën; mosha e re e tyre; dy binjakë 3-vjeçarë; etj., etj. Por përtej kësaj, disa “kode humane” duket se gjithnjë i prishim ne dhe politika. Eshtë trajtuar kjo temë edhe nga kolegë të tjerë dhe jam plotësisht dakord me përfundimet e tyre. Faji ynë është se pse ne kemi ende një mani absurde për të çuar kamera, mikrofona e kronikanë kudo ku shkojnë politikanët?! Kurse politika në raste të tilla, e tejkalon në mënyrën më qesharake “detyrimin” e saj politik. Pas fjalës së Presidentit të Republikës, serioz e njerëzor mbi të gjitha dhe shpalljes së zisë në kujtim të tragjedisë, gjithçka më pas duhej të kishte vlerën njerëzore dhe pasqyrimin normal të kësaj ngjarjeje të rëndë. Kushdo që e ndjen, qoftë politikan, deputet, shkencëtar, intelektual, gazetar, mjek, tregtar, i papunë, mund ta përjetojë një tragjedi apo fatkeqësi sipas mënyrës së vet. Dikush shkon vetë në vaki se kështu e ndjen, dikush e përjeton në vetmi. Por, një radhë e gjerë politikanësh të të gjithë krahëve politikë, u bënë “heronjtë” mediatikë. Pikërisht ata që dje u shanë e u grindën me njëri-tjetrin, ata që u qeshën e u zgërdhinë me ligjin e bllokimit të skafeve, ata që dashurohen e zihen dy-tre herë në ditë për ligje e kode zgjedhore, ata pra, na u shfaqën të vrenjtur, të trishtuar, të mallëngjyer e të përhumbur në ceremonitë mortore të viktimave të tragjedisë së Farkës. Gjëja e parë që të shkon në mendje kur i sheh këta “humanistë” të politikës, pa dallim ngjyre, është retorika: Si nuk i sheh njëherë bashkë, të shkojnë të gjithë në një rast gëzimi, por vetëm hidhërimi?! Fjala vjen, të shkojnë të gjithë në fillimin e punimeve për një vepër madhore në interes të gjerë publik?!... Eshtë e rëndë të thuhet, por e gjitha të duket si një paradë lotësh fushate (krokodili). Më e rëndë bëhet kjo për opozitën, e cila duket kaq e ndjeshme tani, kur në pushtet e kishte zemrën “gur” (kujtojmë tragjedinë e Karaburunit në janar 2004) ku me sa më kujtohet, askush prej politikanëve, përveç I.Metës e P.Koçit, nuk vajti për ngushëllime tek familjet e të dëmtuarve. Ky lloj “sensibiliteti shokant” i politikanëve, nuk i duhet as opinionit, madje as atyre që përjetojnë vuajtjet e dhimbjet. Nuk besoj se ngjisin në opinion e shtojnë pikë as fytyrat e ngrysura të ministrave e deputetëve, as vizitat e panumërta të kryeministrit, as ekstravaganca “hasiane” e kryetarit socialist në performancën e një “grupi polifonik” ku këndon vetëm solisti…               Zgjedha e një drame tragjike si kjo e Farkës si moment psikologjik nga politika për të përfituar po politikisht, duhet përkthyer si një sëmundje e rëndë morale. Një sëmundje e rëndë morale e politikës, por edhe e “pasqyrës”, medias, e cila endet e papërtuar për t’ua mbajtur këtë pasqyrë politikanëve, ngado ata enden…* * *Pas kësaj fatkeqësie, politika dhe media i futen “normalitetit” anormal…Pamë të njëjtat fytyra të na “parakalonin” nëpër ekrane me rastin e festës së grave. Fytyra të gëzuara kësaj here. Të gjithë politikanët uronin gratë gjithë dashuri e delikatesë… Njëlloj si një vit më parë… Si dy vjet më parë… Si tre vjet më parë: …se gratë janë të nevojshme, të domosdoshme; se do të rrisim nivelin e përfaqësimit në Parlament e politikë kaq e aq për qind… Dhe gratë e shkreta që kënaqen me këto “kaseta” që dëgjojnë çdo vit. Dhe që po çdo vit i harrojnë?! Dhe politikanët, ngaqë gratë i harrojnë, vijnë çdo vit e ua kujtojnë… premtimet e tyre!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›