E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, QSU për 1 vit nuk bleu asnjë aparaturë

• Asnjë aparaturë të re në dobi të pacientëve nuk mundi të blejë drejtoria e spitalit “Nënë Tereza” për vitin 2007.zirina llambroTë gjithë tenderët dështuan. Madje, disa prej tyre edhe pse u ripërsëritën, u anuluan sërish. Në këtë mënyrë drejtoria “i vuri shkelmin” 2 milionë dollarëve të përcaktuara nga buxheti i shtetit për pajisjet. Nuk bëhet fjalë për blerje të vogla, por për aparatura mjaft të rëndësishme e të nevojshme për shëndetin e të sëmurëve. Aparatura që shkrin gurët në veshka, e cila prej tre vitesh nuk punon dhe detyron pacientët të futen në thikë, pa qenë nevoja, është njëra prej tyre. Koronarografia e skaneri që shërbejnë për diagnostikime mjaft të rëndësishme, ishin dy pajisje të tjera të  planifikuara të shtoheshin në QSU. Aktualisht pacientët vuajnë radhët e gjata, pasi spitali më i madh në vend ka vetëm nga një copë për secilën. Sa herë prishen të sëmurët rrinë pa analiza, ndonëse kjo mund t’u kushtojë shtrenjtë. Gjithashtu, ishin parashikuar të bliheshin dhe tre eko, si dhe monitorë për sallat kirurgjikale. Burime nga drejtoria e QSU-së bëjnë me dije se, për dështimin e tenderëve nuk kishte arsye të forta. Madje, ata sqarojnë se, një pjesë e firmave konkurruese plotësonin kriteret për t’u shpallur fituese. Sakaq pa dhënë shumë detaje drejtori i QSU-së, Mati Pepa, pranoi dështimin e tenderëve të vjetshëm. I pyetur nga gazeta gjatë konferencës së organizuar për mediat disa ditë më parë Pepa theksoi se, drejtoria e QSU-së ka vënë ketë vit 155 milionë lekë për aparatura. Por ai nuk pranoi të jepte arsye pse fondi dy milionë dollarësh nuk u bë efektiv. Kontratat e mirëmbajtjes E ndërsa lulishtet, ndërtesat ende të papërfunduara, apo ndonjë investim tjetër menaxherial trumbetohen si arritje të mëdha të drejtorisë së QSU-së, për aparaturat që janë më të rëndësishmet në spital duket se nuk mendohet aq shumë. Një nga premtimet kryesore muaj më parë, ishte pikërisht lidhja e kontratave të mirëmbajtjes për të gjitha aparaturat. Në dukje, dytësor si problem, por me një rëndësi jetike për të gjithë pacientët, të cilët duhet të presin me javë e muaj për analizat pas çdo defekti të aparaturave diagnostikuese. Kjo prej vitesh tashmë, pasi asnjëri prej ish-drejtuesve se ka vrarë aspak mendjen edhe në rastet kur janë bërë blerje të shtrenjta. Por me gjithë premtimet e dhëna situata vijon të mbetet njësoj. Në rastin më të mirë pacientët transferohen në klinikat private ku paguajnë “qimet e kokës”, ndërkohë që në spitalin publik do të trajtoheshin falas. Sipas drejtorisë, lidhja e kontratave për mirëmbajtjen është në proces, por ende nuk dihet se kur do të përfundojë. Përkundër kësaj situate, në mjaft pavijone përdoret ende teknologjia e 30 viteve më parë, pa pasur asnjë vlerë në trajtimin e të sëmurëve.Aparaturat që do bliheshin

Skaner
Koronarografi
Aparatura e gurëve në veshka
3 ekografi
Aparaturë diagnostikuese për mëlçinë
Monitorë për sallat e operacionit

Onkologjiku, me teknologjinë më të varfërSpitali Onkologjik në QSU të ofron panoramën më paradoksale sa i përket pajisjes me aparatura. Ndërsa bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe duhet të jetë model për teknologjinë, të sëmurët trajtohen në mënyrë krejtësisht primitive. Reparti i radiologjisë funksionon me kobaltët e 30 viteve më parë. Për të lokalizuar tumorin të sëmurët marrin në gjithë trupin rreze. Kjo teknologji edhe në spitalet e vendeve fqinje si Maqedonia e Bullgaria nuk përdoret më. Mamografia që diagnostikon kancerin e gjirit më shumë qëndron e prishur sesa në rregull, ndërsa copë-copë janë edhe aparaturat e tjera. U premtua këtu e 3 vite më parë që do të blihej një icelrator linear, i cili bombardon me rreze vetëm masën tumorale pa rrezatuar gjithë organizmin, i efektshëm sidomos për kancerin e qafës së mitrës tek gratë), por pa rezultat. E në fakt jo pak por 4 milionë euro ka kushtuar spitali Onkologjik, i cili është inauguruar rreth 3 vjet më parë. Duket se të gjitha këto para kanë shkuar për “llaç e tulla”, pasi shërbimi nga aparaturat që u ofrohet pacientëve lë për të dëshiruar. Madje, edhe dy aparatet e kobaltit, me anë të të cilëve të sëmurët me kancer kryejnë radioterapi, janë “dhuratë” nga donatorët e huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›