“Reforma Agrare”, strategjia e kolonizimit të Kosovës
• Lavdosh Rr. Ahmetaj *Në retrospektivën e zhvillimeve të kolonizimit të Kosovës nga pushtuesit serbosllavë, tani kur pas një shekulli ajo gëzon pavarësinë, reflektimi ndaj faktorëve që përligjën sundimin do të ndihmojë për të ndriçuar edhe më mirë të vërtetën historike Në këtë kuadër zbardhja e ligjit të Reformës Agrare që u implementua në harkun kohor 1919-1930, hedh dritë në një aspekt të rëndësishëm, nëpërmjet të cilit u mundësua kolonizimi serb i Kosovës. Po çfarë është ky ligj dhe si u zbatua ai në praktikë? Në fillim të vitit 1919 mbretëria jugosllave, e porsaformuar nëpërmjet vendimit të fuqive të mëdha evropiane, gjendej përpara një krize të brendshme, që shprehej mbi të gjitha në mënyrën e pronësisë mbi tokën. Në këtë periudhë e gjithë popullsia prej 12 milionë banorësh, përbëhej në masën 80 për qind nga ajo fshatare. Kjo e fundit ishte duke përjetuar një situatë të vështirë, pasi nuk kishte mundësinë minimale për të zhvilluar aktivitetin e saj ekonomik për faktin se i mungonte toka. Në këto kushte, mbretëria serbo-kroato-sllovene përpunoi një strategji të caktuar, të shprehur nëpërmjet Reformës Agrare, e cila do të shërbente si një mjet që do të përdorej në mënyrë legjitime për të pronësuar këtë masë të madhe fshatarësh në tokat e Kosovës. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur struktura e popullsisë fshatare përbëhej nga 34 për qind e pjesëtarëve të saj. Kishte prona shumë të vogla, nën 2 ha tokë, 34 për qind e të tjerëve zotëronin 2 deri në 5 ha tokë, kurse 5 për qind që përfaqësonte 500 mijë fshatare posedonte një sipërfaqe toke të papërfillshme. Ndërkaq në krahinat si Dalmacinë, Istriani, bregdeti slloven, Bosnjë-Hercegovina, trevat shqiptare dhe ato të Maqedonisë, pronësia më e madhe ishte çifligare dhe me një shtrirje të konsiderueshme. Pikërisht për vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm në çështjen e pronësisë mbi tokën në Parlament (Skupshtina) u paraqiten një sërë projektesh me ide dhe pikëpamje të ndryshme, pas të cilëve fshiheshin interesa të caktuara të grupeve të ndryshme shoqërore dhe politike. Qeveria ishte e para që jo vetëm shprehu rezervat e saj për këto projekte, por i rrëzoi ato, duke paraqitur një projekt të vetin, që shprehte interesat politike të saj, në thelb të të cilave ishin interesat e lobigjeve që më së shumti synonin strategjinë kolonizuese ndaj popullsive jo sllave. Ky motiv i vërtetë i projektit të qeverisë, u reflektua që në hapat e parë të vënies në zbatim të projektit. Ishte kjo arsyeja që atë e inicioi dhe e mbështeti aleanca e borgjezisë serbe me çifligaret në përgjithësi, për të forcuar pozitat në luftën kundër kombeve dhe kombësive të tjera. Karakteri i vërtetë kolonizues lidhej me synimet e Beogradit për ushtrimin e hegjemonionisë ndaj atyre rajoneve që atij i interesonte të bënte ndryshimet në strukturën etnike të popullsisë.Pikërisht kësaj strategjie i shërbeu krijimi i hapësiraveligjore për të mbërritur te objektiv politik. Legjislacioni agraro–kolonizues, që zinte fill më 25 shkurt 1919 me dispozitat paraprake për zbatimin e Reformës Agrare, parimet e të cilit kishin vlerë për të gjithë ish–Jugosllavinë, arrinte të bënte një përjashtim, dhe kjo ishte Serbia. Nëpërmjet këtij dekretligji u arrit “de jure” heqja e mbeturinave të feudalizmit dhe njohja pa shpërblim e çifligjeve dhe e paraqendrave si pronarë të lirë të tokës ku punonin. Sipas dispozitave të 25 shkurtit 1919, duhej të kënaqeshin kërkesat për tokë të individëve, të të vejave e jetimeve të dalë nga Lufta e Parë Botërore, por ndërkohë dispozita praktike nuk linte jashtë vëmendjes dhe interesat për tokë të ushtarëve serbë, të vullnetarëve. Njëkohësisht ligji njihte të drejtën e njerëzve që kishin merita të veçanta për çështjet e Jugosllavisë, ku parashikohej riatdhesimi i emigrantëve jugosllavë, të cilët kishin jetuar për një kohë të caktuar në vende të tjera. Ky proces hyri në rrugën e zbatimit jo vetëm në Kosovë, por edhe në etnitë e tjera jo serbe. Një urdhëresë tjetër me rendësi në procesin e kolonizimit të trevave shqiptare ishte ajo që nxori ministri i Reformës Agrare, më 27 gusht 1920 për sistemimin e vullnetarëve, të cilëve ligjërisht do t’u jepej tokë e shtëpi për punim e banim, që ishte parashikuar t’u merreshin pronarëve të mëdhenj nëpërmjet blerjes nga shteti. Kolonëve, të cilët nuk kishin mjete pune bujqësore u njihej e drejta ta jepnin tokën për gjysmë, në rastin e kundërt ata këtë tokë duhej ta punonin dhe ta kultivonin vetë, ndërsa transporti i tyre deri në vendin e planifikuar për ngulim do të përballohej nga buxheti i Reformës Agrare. Por koha vërtetoi, që toka që u ishte dhënë këtyre kolonive, me kushtin e përkohshmërisë së përdorimit, nuk ju kthye kurrë atyre që e punonin më parë, domethënë çifçinjve ose paraqendrave shqiptarë. Ndërsa në rastet kur nuk u shpërngulën, edhe pse mbi ta ishte ushtruar dhunë ata ishin të detyruar të ktheheshin në bujq të pronareve të rinj, të cilët ishin produkt i politikës agrare të mbretërisë serbo–kroate–sllovene. Në interes të zbatimit të këtij ligji, gjatë gjysmës së parë të vitit 1920, dolën disa urdhëresa të tjera, nëpërmjet të cilave bëhej e mundur ruajtja e fondit të tokës së pronave të mëdha në funksion të çështjes së kolonizimit, i cili tashmë në Kosovë ishte vënë mbi baza ligjore. Për zbatimin e kolonizimit mbi baza më të plota, në shtator të vitit 1920, u arrit të përpilohet dhe të marrë formën e duhur dekreti për kolonizimin e viseve të reja jugore. Ky dekret kishte dalë me firmën e regjentit dhe ishte destinuar vetëm në trevat shqiptare të Maqedonisë. Kjo tregonte në mënyrën më të hapur tendencat e Beogradit për të intensifikuar kolonizimin e trevave shqiptare, duke vënë ligjërisht në synimin e shovinizmit shpronësimet e pronave private dhe të përbashkëta të banorëve shqiptarë.Po çfarë përfshinte ky dekret, cilat ishin pronat që u rrëmbeheshin shqiptarëve? Së pari, tokat e lira në pronësi të shtetit. Së dyti, tokat e papunuara komunale ose të bashkësive fshatare të papunuara që përdoreshin për kullota. Së treti, tokat e papunuara ose të lëna djerrë për faktin e braktisjes, së katërti, tokat në pronësi private që ishin objekt shpronësimi sipas përcaktimit të dispozitave praktike. Por para se të planifikoheshin dekretet, që bënin të mundur organizimin e kolonistëve në tokat shqiptare, vetë shqiptarëve u ishte dhënë me qira vendasve, kështu që për interesat e kolonëve, vendasit duhet të dilnin në tregun e lirë të blerjes së tokës, gjë që rezultonte tepër e vështirë, për faktin se, së pari nuk e kemi këtë treg nga pikëpamja institucionale dhe juridike, dhe së dyti, toka sipas politikes së kolonizimit do t’i nënshtrohej shpërndarjes së saj sipas një reforme agrare, e cila vetëm atribute juridike nuk ka në strukturën e vet. Së treti, aq më tepër kolonët vinin nga uria për tokë dhe me konceptin e superioritetit ndaj vendasve. Kështu bëhej e mundur në mënyrën më të lehtë për t’u goditur kundërshtarët politikë të regjimit, për të cilën në dekretin e 24 shtatorit 1920 nuk kishte ndonjë formë të caktuar, aq më tepër në nenin 27 të tij përmendej se dhe në qoftë se pronari mbas kolonizimit dëshmon të drejtën ligjore të tokës, e cila është e kolonizuar, ajo tokë nuk mund t’i merrej atij që tashmë quhej kolon ose siç filloi të artikulohej në një formë tjetër, si banor i ri, por me atribute shoviniste, fakt të cilën e përcaktonte në mënyrë taksative ligji i përpunuar dhe i strukturuar sipas interesave të mbretërisë. Ligji në absurditetin e tij përfshinte edhe mundësinë e marrjes së tokës atij fshatari të vogël, të cilit i njihej pronësia, por që gjatë matjeve përfshihej brenda kompleksit për kolonizim. Në të dyja alternativat formalisht fshatarit shqiptar, të cilit i ishte marrë toka, gëzonte të drejtën të zhdëmtohej, duke marrë një tokë me të njëjtën cilësi prodhimi. Por duke e parë të drejtën nga pikëpamja e afatit të shkurtër prej 15 ditësh, kjo e bënte të pamundur rifitimin e të drejtës mbi pronën, pasi ky afat, nga marrja e vendimit mbi shpronësimin e një toke deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mundësonte zgjidhjen e procedurës, gjë që e bënte ankimimin të pavlefshëm. Mbi të gjitha ishte vendosur në mënyrë të njëanshme, që në këtë proces kolonizimi do të kishin përparësi ata që kishin merita të veçanta për çështjen jugosllave. Ndërkaq, e gjitha kjo pasohej edhe nga dispozita të tjera siç ishin ato që parashikonin shtetëzimin e tokës për interesat e kooperativave agrare, “organizatat ekonomike”, “entet shtetërore, civile, ushtarake, fetare ortodokse”, etj. Para së gjithash përparësinë e këtij aksioni politik, e përfitonin pakicat serbe dhe ato maqedonase, të cilat jetonin në trevat shqiptare. Për rrjedhojë, në praktikë shqiptarët bëheshin gjithnjë edhe më të kufizuar për të marrë të drejtën e tyre në kushtet e një kolonizimi modern. Dekreti i 24 shtatorit 1920 kishte parashikuar një sërë favoresh për të gjithë kolonët, pavarësisht nëse ishin bujq ose jo, ndërsa fshatarët shqiptare duke humbur tokën, futeshin në marrëdhënie të tjera shumë inferiore. Kështu shumë nga shqiptarët u katandisën në argatë në trevat e tyre, pra në thelb ndryshuan marrëdhëniet midis fshatarit autentik dhe kolonit, ose ardhacakut. Dekreti i vitit 1920 përmbante edhe disa detyrime e kufizime në drejtim të kolonëve. Ata me patjetër duhej të vendoseshin brenda gjashtë muajsh pranë tokës që ia kishte dhënë dekreti dhe menjëherë duhej të fillonin nga aktiviteti ekonomik. Sipas këtij dekreti, çdo afrim i kolonëve me fshatarët shqiptarë do të konsiderohej si tradhti. Njëkohësisht konsiderohej e detyrueshme pjesëmarrja në shoqëritë ekonomike–ushtarake të kolonisë. Por shprehja politike më impenjative e Beogradit për zbatimin e Reformës Agrare (kolonizuese) ishte fakti që ajo ishte shprehur në Kushtetutën SKS të vitit 1921, ku në nenin 43 të saj përcaktohej e drejta e kolonizimit dhe përcaktoheshin rrugët dhe mjetet e mundshme për arritjen e tij. Ndërsa në neni 37 të Kushtetutës kishte formulime elastike, që krijonin mundësi ligjore që u shfrytëzuan për shpronësimin e shqiptarëve. Por ajo çka përbën paradoksin ishte fakti, që nëpërmjet ligjit prona përcaktohej si e pacenueshme, por ndërsa shtohej në dispozitat përkatëse, mbi zgjedhjen e plotë dhe përfundimtare të marrëdhënieve të vjetra agrare se, shpronësimi i pronës private për arsye të interesit të përgjithshëm publik ishte i lejuar mbi bazën e ligjit, kundrejt një shpërblimi të drejtë. Ndërsa në nenin 31, 1928 doli një ligj i posaçëm për sistemimin e vullnetarëve. Ata mund të merrnin po aq tokë sa edhe kolonët e tjerë. Ligji bënte të mundur përforcimin e punës së bërë në bazë të urdhëresës së 27 gushtit 1920 dhe shërbente si një bazë kryesore për përcaktimin e kësaj kategorie njerëzish, të cilët prezantoheshin në opinionin si vullnetar, por njëherësh bëhej e mundur pajisja e tyre me tokë njësoj si të parët. Në ndihmë të ligjit doli në vitin 1930 edhe një rregullore, e cila mundësonte akordimin e vullnetarëve me tokë dhe institucionalizimin e tyre. Ky institucionalizim po mbështetej edhe nëpërmjet ligjit mbi kufizimin e pyjeve shtetërore në Serbi, Serbinë Jugore dhe në Malin e Zi, i vitit 1930. Ky ligj shërbente njëherësh për shtetëzimin e një pjese të madhe të pyjeve të fshatarëve dhe të komunave shqiptare dhe në mënyrë të tërthortë u hiqte shqiptarëve të drejtën e tyre për t’i shfrytëzuar për lëndë të parë drusore, por edhe atributin e pronësisë së përbashkët, që e kishte fillesën që nga pronësia e përbashkët e bashkësive fshatare shqiptare, të trashëguara që nga e drejta zakonore dhe mesjetare shqiptare. Sidoqoftë politika e kolonizimit në vitet tridhjetë ishte në një fazë më cilësore, duke bërë të mundur shkallëzimin mëtejshëm të shpronësimit të fshatarit shqiptar. Këtë gjë e konkretizonte edhe më tepër ligji mbi kolonizimin e krahinave të jugut, i cili mbante datën 11 qershor 1931, i cili shënonte një hap të ri në krahasim me dekretin për kolonizimin e datës 24 shtator 1920. Por çfarë kanë të përbashkët dhe të dallueshëm nga njëri-tjetri të dy ligjet? Duke i krahasuar me njëri-tjetrin, duket se kanë të përbashkët, faktin që tokat e prekura dhe përfituesit tek të dy aktet ishin të njëjtë. Ndërkohë që në ligjin e 1931, ishte parashikuar edhe përfitimi i tokës së “të arratisurve” ose siç mund të quhej ndryshe “toka e kaçakëve”. Përveç kësaj, ligji kishte një plotësim edhe në performancën lidhur me kolonizimin. Kështu ndërsa dekreti 1920 konceptonte dhënien e tokës për prodhim dhe banim, ligji i 1931 shtonte edhe një element cilësor, i cili kishte të bënte edhe me krijimin e kushteve për ngritjen dhe rregullimin e vendbanimit të kolonëve. Kjo në thelbin e vet përbënte një kujdesje të veçantë lidhur me organizimin dhe funksionimin e kolonive tashmë si institucione, që donin të thoshin me fjalë të tjera që prej kësaj kohe e më pas, këto koloni duhej të konsideroheshin të themeluara dhe të performuara me të gjitha aksesorët e mundshme për të jetuar dhe prodhuar. Ligji i 11 qershorit 1931 përcaktonte mundësinë e familjeve të merituara për të përfituar tokë, e cila arrinte deri nga 2 deri në 15 ha, ose u jepej mundësia për të kolonizuar në komunat fqinje, ose atje ku e shihnin ato të mundshme për të kolonizuar nëpërmjet organeve kompetente, që tashmë ishin të ngritura në bazë të ligjit të mbretërisë SKS. Ligji bënte të mundur, që nëpërmjet uljes së afateve te integrimit të kolonëve, përcaktohej që në vendbanimet e reja ulej ky afat, nga 10 në 3 vjet në rast se toka do të punohej në mënyrë shembullore, duke u pasuar edhe me zgjatjen e afatit deri në 15 vjet të shitblerjes dhe të dhënies peng të tokës së kolonizuar. Koloni mund ta humbiste tokën e kolonizuar edhe nëpërmjet aktivitetit të tij kundër shtetit ose për lëvizje politike kundër rendit, por ligji nuk harronte edhe sigurimin e besnikërisë së pjesëtarëve të familjes së kolonëve ndaj shtetit, në mënyrë që t’i bënte të interesuar të gjithë kolonët në funksion të kolonizimit masiv edhe nga pikëpamja e mentalitetit. Kështu që gradualisht e më shumë ata ta ndjenin veten në pronësinë e tyre. Këtë gjë shteti e bënte nëpërmjet propagandës dhe ngritjes së institucioneve dhe instituteve studimore për të krijuar gjithnjë e më shumë trevën autoktone serbe. Duke e parë fenomenin në këtë profil mendoj se deri diku kjo gjë u arrit, duke ju referuar studimit të Kristo Floqit në revistën “Agimi” 1920, ai gjykonte se studiuesit serbë ishin përfshirë në studimin e kësaj çështjeje, duke arritur deri në pikëpamjen, që Kosovën kishin arritur ta quanin Serbi e Vjetër. Për këtë Kristo Floqi ka një studim të tërë, duke argumentuar nga pikëpamja e origjinës së kësaj popullsie.