Vargu: Rama asnjë zgjidhje për varrezat
• Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin e saj të thellë për situatën tepër të rëndë që ekziston në varrezat e Sharrës.Petrit Vargu, duke folur në emër të grupit të këshilltarëve të Këshillit të Tiranës të LSI, duke marrë shkas nga tragjedia e ditëve të fundit në Farkë, shprehu shqetësimin e thellë për situatën tepër të rëndë në varrezat e Sharrës, ku, si rezultat i mungesës së plotë të infrastrukturës, të ndjerëve të kësaj tragjedie të madhe nuk mund t'i bëheshin respektet e duhura, ashtu siç e meritonin. "Ne gjykojmë se Bashkia e Tiranës duhet të marre masa urgjente për të zgjidhur problemin e kësaj varreze publike, duke siguruar zgjerimin dhe duke ndërtuar infrastrukturën e brendshme të saj. Çështjet e bashkëpunimit me Qeverinë për këtë problem janë përgjegjësi e saj, dhe jo e familjarëve të të ndjerëve, të cilëve u mjafton dhimbja për të dashurit e humbur", deklaroi zëdhënësi Vargu. Sipas tij, LSI shpreh shqetësimin e thellë për problematikën në rritje dhe stanjacionin që po përjeton Bashkia e Tiranës në zgjidhjen edhe të problemeve të tjera që kanë të bëjmë me jetën e qytetarëve të Tiranës. Këto probleme lidhen me hedhjen e plehrave në zonën e Sharrës. "Këto çështje, por edhe të tjera, si ajo e ujësjellësit dhe menaxhimit pa efektivitet të tij, janë ngritur me forcë për zgjidhje nga grupi i Këshilltarëve Bashkiake të LSI, por ndaj tyre është aplikuar e njëjta censurë bashkiake që po shihet shpesh edhe në organet e medias", theksoi Vargu. LSI bën të ditur se ka përgjegjësi të madhe në mbajtjen e premtimeve të 18 shkurtit përpara qytetarëve të Tiranës, pasi me 20 mijë votat e saj ajo solli fitoren e kryetarit aktual të Bashkisë. "Ne nuk mund të tolerojmë që menaxhimi mediatik të injorojë menaxhimin konkret të problemeve të thella që ka Tirana. I bëjmë thirrje Bashkisë së Tiranës, por edhe qeverisë aktuale të veprojnë me shpejtësi, për të zgjidhur sa më shpejt të gjithë ato detyrime që kanë përpara qytetarëve të Tiranës", theksoi Vargu. Këto janë çështjet e ngritura nga ana e LSI-së në lidhje me menaxhimin e situatave të krijuara në metropolin e Shqipërisë, Tiranën. LSI-ja ka ofruar bashkëpunimin, por deri më tani po has pengesë me PS-në në qeverisjen në nivel lokal.