Burrel Shpërthimi në uzinë, pasojë e amortizimit
Shpërthimi në Uzinën e Ferrokromit Burrel, ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, ku u plagosën tre metalurgë, sipas specialistëve dyshohet të ketë ndodhur për një defekt në furrën e shkrirjes, ku prej vitesh nuk është vënë dorë për riparim. Ka qenë ora 17:30 e së mërkurës, kur ka ndodhur eksplozioni në furrën e shkrirjes nr. 2, të kësaj uzine dhe si pasojë janë plagosur metalurgët Ahmet Saliaj, Simon Menga dhe Nikolin Picaku. Njëri nga të plagosurit, Simon Menga, është dëmtuar më rëndë dhe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Burrelit, është dërguar në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" Tiranë në repartin e djegieve, për kurim të specializuar mjekësor. Aktualisht, në spitalin e Burrelit ndodhet ende në kurim metalurgu Ahmet Saliaj, ndërsa Nikolin Picaku, pasi ka marrë ndihmën e duhur mjekësore pranë këtij spitali, është larguar për në shtëpi. Në Uzinën e Ferrokromit, Burrel, punojnë aktualisht 110 punëtorë metalurgë. Burime nga kjo uzinë, thonë për "Shqip" se të gjithë metalurgët që aktualisht punojnë aty, janë me kontrata të rregullta individuale pune, me firmën nënkoncesionare "Ital Chrom", që aktualisht menaxhon këtë uzinë. Po sipas këtyre burimeve, ngjarja e rëndë e eksplozionit të furrës së shkrirjes ka qenë aksidentale. Ndërsa burime nga Prokuroria e rrethit sqarojnë se deri më tani nuk ka asnjë person të akuzuar për këtë ngjarje, vetëm se janë thirrur për t‘u pyetur në lidhje me të, metalurgë dhe drejtues të uzinës. Por specialistë metalurgë, edhe pse jo zyrtarisht, tregojnë se pas marrjes me koncesion të kësaj uzine nga firma italiane "Darfo Albania", kanë lindur mjaft probleme dhe konflikte midis saj dhe metalurgëve. Problemi kryesor mbetet ai i mungesës pothuajse totale të investimeve në këtë uzinë nga ana e firmës së huaj. Sipas specialistëve, furra nr. 2, ku dhe ka ndodhur eksplozioni, ka qenë me defekt dhe nuk është vënë dorë në të për riparim. Gjithsesi, do të jenë organet kompetente të hetimit të kësaj ngjarje, ata që do të thonë fjalën e fundit, nëse ngjarja ishte aksident apo jo.