E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel: Ushtria e maxhorancës bojkoton ceremoninë e dekorimit të Presidentit

Share

Më 10 tetor të këtij viti, 11 nga 17 anëtarë të Këshillit bashkiak të qytetit të Burrelit kanë votuar për shpalljen Qytetar Nderi të Burrelit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi (Meqë ra fjala, si nuk del një deputet për të marrë nismën e rishikimit të ligjit mbi shpërndarjen e titujve të tillë, të cilët janë shndërruar ose në qoka, ose në gjeste me simbolikë politike e provokative?). Dje, Presidenti kish shkuar ta merrte këtë titull.

Çfarë ndodhi? Ndodhi që në ceremoni ndodhej vetëm një këshilltar i PD-së (nga tre që kanë qenë dakord që ai të bëhej Qytetar Nderi). Të tjerët kishin marrë urdhër ta bojkotonin këtë veprimtari në nder të kreut të shtetit. Bashkia e Burrelit, e drejtuar nga Adelina Farrici, kish ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe krerët e forcave politike të qytetit, rrethit e qarkut, por askush prej atyre që janë nën hyqmin e kryeministrit apo të maxhorancës nuk kish shkuar.

Ky është një gjest i turpshëm. Kësaj i thonë ta shndërrosh armiqësinë personale të krerëve të institucioneve në përbuzje të institucioneve. Të bojkotosh një ceremoni, ku dekorohet kreu i shtetit (ndërkohë që nuk ke pasur objeksione, kur është votuar lidhur me këtë gjë) është një veprim që u përket kohëve tribale e parashtetërore. Por me sa duket, ato kohë jemi duke jetuar.

respublica.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›