Burrel, agjërojnë të burgosurit
BURREL/ HASAN PASHA
Muaji i Ramazanit ka mbërritur dhe në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, Shkëlqim Gjoçuka dhe 40 të burgosur, që vuajnë dënimin në këtë institucion kanë vendosur të agjërojnë çdo ditë të këtij muaji. Pra, të privohen nga të ngrënët dhe të pirët për 30 ditë, bashkë me respektimin e rregullave të tjera të besimit islam. Burime të sigurta informacioni sqarojnë se janë rreth 20 për qind e numrit total të së dënuarve, që duan të “lajnë” mëkatet që kanë bërë gjatë kohës kur kanë kryer krimin. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit, drejtori i burgut po kryen ritin si një besimtar i devotshëm, ndërsa i janë bashkuar dhe 40 të dënuar. Të burgosur të shumtë, të dënuar për vepra të rënda penale çelin pa gdhirë syfyrin dhe në të perënduar të diellit iftarin, ndërkohë gjatë gjithë ditës nuk pranojnë të marrin asnjë lloj ushqimi. “Mes 40 agjëruesve ka të dënuar për vrasje, grabitje me dhunë, plagosje, etj., por ndryshe nga periudha tjetër e vitit ata vendosin në mënyrë individuale dhe vullnetare të mos konsumojnë asgjë për disa orë. Madje, nuk pranojnë as gratë apo të fejuarat për takime speciale gjatë ditës”, pohojnë gardianë të këtij burgu. Ndërkohë, të afërmit dhe drejtoria e burgut bëjnë kujdes për t’u siguruar ushqime më cilësore dhe në kohën e duhur. “Kur të dënuarit e tjerë shtrojnë mëngjesin, drekën apo darkën, këta 40 të dënuar ose dalin në ajrim ose qëndrojnë në dhomat e tyre. Nga ana tjetër, kujdes për agjëruesit tregojnë edhe të dënuarit që nuk veprojnë në të njëjtën mënyrë”, sqaruan për “Panorama” të njëjtat burime. Në mes të dënuarve që agjërojnë mungojnë të burgosurit “VIP” të burgut të Burrelit. Ashtu si vitet e kaluara drejtoria e institucionit të vuajtjes së dënimit ka vendosur që edhe këtë vit të organizojë iftare me të gjithë të dënuarit agjërues. Biznesmenë të qytetit herë pas here kanë sponsorizuar ushqime dhe pije freskuese për besimtarët e dënuar.