Dule: Nuk kam ende një ftesë zyrtare nga Kryeministri
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk ka marrë ende një ftesë zyrtare nga Kryeministri Sali Berisha për t’u bërë pjesë e koalicionit të djathtë. Kreu i kësaj partie, Vangjel Dule i kontaktuar dje nga gazeta konfirmoi, se ftesa e kreut të ekzekutivit është vetëm televizive dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet. “Ftesa nuk mund të jetë televizive. Nuk mund të operohet me ftesa të tilla. Nëse do të vijë kjo ftesë, ç’ka deri tani është hipotezë, ne do ta shqyrtojmë. Por e them sërish që ne do të diskutojmë vetëm mbi një ftesë konkrete”, tha Dule dje pasdite. Prej disa ditësh Kryeministri Berisha ka deklaruar se i ka dërguar një ftesë kreut të PBDNJ-së dhe pret një përgjigje pozitive prej tij. “Një ftesë i është bërë edhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Votat e marra do të jenë kriteri, që do përcaktojë nivelin e përfaqësimit në pushtet të forcave të tjera politike. Ne jemi të vendosur të bashkëqeverisim me aleatët tanë, por cili do jetë niveli, kriter është numri i votave. Kjo është më e ndershmja”, u shpreh kreu i Qeverisë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut fitoi vetëm një mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit, në qarkun e Vlorës, ku kandidoi kryetari i saj Vangjel Dule. Në prag të fushatës kjo forcë politike u largua nga koalicioni i djathtë duke iu bashkuar opozitës. Ky kalim bëri që nga PBDNJ të largohen dy prej figurave të rëndësishme të kësaj partie, Spiro Ksera dhe Kosta Barka, të cilët kandiduan nga lista e Partisë Demokratike.