“Nuk kam përplasje me Tahirin”
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini tha dje në një prononcim për mediat se mes tij dhe deputetit Dashamir Tahiri nuk ka asnjë kontradiktë dhe të dy ata, së bashku me kryetarin e shoqatës “Çamëria” do të jenë në negociatat me Kryeministrin Berisha për Qeverinë e re. “Unë mund t’ju them që nuk ka asnjë lloj konflikti ndërmjet Tahir Muhedinit dhe Dashamir Tahirit dhe në kryesinë e partisë nuk ka pasur asnjë konflikt. Komplet partia nuk ka konflikt”, deklaroi Tahir Muhedini, kreu i PDI-së. Përsa i përket kërkesave të PDI për përfshirjen në qeverisje, Muhedini shprehet se kjo do të vendoset vetëm gjatë negociatave me Kryeministrin Berisha. “Ne marrëveshjen me PD e kemi afatgjatë, në mënyrë konstante, ndoshta ndonjë pozicion që kërkojmë ne nuk mund të realizohet, nuk do të thotë që ne do ndryshojmë qëndrim politik. Çdo gjë do të jetë në bazë të negociatave”, vijon Muhedini. Kreu i PDI-së hodhi poshtë aludimet që e akuzojnë atë si bashkëpunëtor të Ramës me lejet e ndërtimit. Kryetari i PDI-së tha se nëse këto deklarata do të ishin të vërteta, ai ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen menjëherë nga posti. Pavarësisht faktit se kjo forcë ka një mandat deputeti, ajo pritet të përfaqësohet në qeveri vetëm në nivel zv/ministrash.