Rinis puna për rikonstruksionin e shkollës “Sevasti Qiriazi”
KORÇE - Prej tre muajsh ishin ndërprerë punimet për rikonstruksionin e plotë dhe shtesën e shkollës 9–vjeçare “Sevasti Qiriazi” në Korçë. Shkak shërbeu mbarimi i fondit të planifikuar, ndonëse një sërë punimesh mbetën pa u kryer. Ndërsa po afron viti i ri shkollor, firma ndërtuese, “Konstruksion ‘93" ka vendosur ta çojë deri në fund investimin. Punëtorët e firmës po vendosin dritaret prej duralumini, dyert, po shtrohet me parket palestra dhe po kryhet edhe lyerja brenda e jashtë e shtesës së re të kësaj shkolle. Sipas drejtueses së firmës, Lida Kushe objekti do të jetë gati në ditën e parë të shkollës. Mbarimi i fondit të planifikuar erdhi si pasojë e ndryshimit të projektit të ndërtimit nga një ndërtesë me një kat që do të shtrihej deri në fund të oborrit të shkollës në një shtesë me tre kate me sipërfaqe trualli gati dy herë më të vogël. Sipas preventivit që ka hartuar firma ndërtuese, përfundimi i ndërtimit të këtij objekti kërkon edhe një fond prej 6 milionë lekësh. Në Bashkinë e Korçës bëhet e ditur se është bërë kërkesa në Ministrinë e Arsimit për këtë shtesë fondi gati një vit më parë, por deri tani nuk ka ardhur. Kjo shkollë ka dy vjet që i është nënshtruar rikonstruksionit dhe zgjerimit të saj. E rindërtuar afro 50 vjet më parë, 1 shekull pas ngritjes, kjo shkollë kishte nevojë për një rikonstruksion të plotë. Gjatë hapjes së themeleve të kësaj shtese u zbuluan eshtra njerëzish, çka ishin një dëshmi se aty ndodheshin varret e klerikëve dhe besimtarëve ortodoksë. Më pas u zbuluan edhe muret e një kishe të vjetër. Me vendim të Institutit të Monumenteve të Kulturës u ndërprenë punimet në një pjesë të oborrit të shkollës, duke sjellë dhe ndryshimin e projektit. j.gj