E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen telefonatat e Dritan Dajtit

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria administron në dosje të dhënat hetimore për telefonatat e Dritan Dajtit. Kompanitë celulare kanë dorëzuar në Prokurori të dhënat e kërkuara nga grupi i hetimit për tabulatet telefonike, që i përkasin të akuzuarit për vrasjen e katërfishtë të oficerëve të Sektorit të Operacioneve Speciale. Menjëherë pas ekzekutimit me armë të oficerëve Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari e Kastriot Feska, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi tabulatet telefonike të personit të shumëkërkuar. Grupi i hetimit dyshoi se telefonatat fshehin të dhëna me rëndësi për shkak se Dajtit iu gjetën në çantën e tij dhe në makinë, 10 telefona celularë, në të cilët 8 prej tyre kishin numra të operatorëve shqiptarë, ndërsa dy telefonat tjerë kishin karta që i përkasin operatorëve celularë në Greqi dhe Itali. Mbajtja e një numri të madh aparatesh telefonike me vete nga i kërkuari, u interpretua nga hetuesit si një përpjekje e tij për t’iu shmangur gjurmimit apo përgjimeve të mundshme. Për këtë shkak, organi i akuzës kërkoi menjëherë të njihej me të dhënat për thirrjet hyrëse dhe dalëse, si dhe për mesazhet e qarkulluara nga të gjithë numrat që ishin përdorur prej të akuzuarit për masakrën e Durrësit. Verifikimi i komunikimeve telefonike u bë më i nevojshëm pas gjetjes në celularin e kunatit të Dajtit, të pesë numrave që i përkasin 4 punonjësve të policisë në Durrës, Fier, Dibër e Korçë.   
Hetimi i telefonatave
Menjëherë pas arrestimit të 38-vjeçarit në Durrës policia bëri një kontroll të imtësishëm në automjetin e përdorur nga Dajti, tip fuoristradë “Tuareg” me targa të huaja. Kontrollit iu nënshtrua edhe një çantë dore e të kërkuarit ku u gjetën plot 10 celularë, dokumente false dhe një karikator i pistoletës me 15 fishekë. Pas bllokimit të celularëve, hetuesit verifikuan numrat e tyre dhe mbi këtë bazë u kërkuan kompanive celulare të dhëna për numrat me të cilët kishin komunikuar celularët e përdorur nga i kërkuari. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se përgjigjet e kompanive celulare kanë mbërritur tashmë dhe janë administruar në dosje. Sipas këtyre përgjigjeve, rezulton se asnjëri nga numrat e vënë në përdorim nga Dajti, nuk është regjistruar në emër të tij në momentin e vënies në punë. Verifikimi në kompanitë celulare ka zbuluar se numrat që gjendeshin në celularët e Dajtit, ishin regjistruar në emër të personave të tjerë. Sapo kanë marrë këto të dhëna, hetuesit kanë bërë një kërkesë tashmë për Policinë e Shtetit. Kësaj të fundit i është kërkuar të verifikojë përmes gjendjes civile të gjithë personat në emër të së cilëve janë hedhur kartat e përdorura prej Dritan Dajtit. Paralelisht me këto veprime që është urdhëruar të kryhen nga policia, organi i akuzës është duke verifikuar tashmë kujt i përkasin numrat që kanë telefonuar Dajtin, si dhe numrat që kanë pasur thirrje nga celularët e përdorur nga i kërkuari.          

Falsifikimi i dokumentit si zyrtar i policisë së Korçës
TIRANE – Një dokument i falsifikuar identifikimi, që ngjalli jo pak interesin e hetuesve u gjet pas arrestimit të Dritan Dajtit në Durrës. Bëhet fjalë për një distinktiv policie që mbante foton e Dajtit dhe emrin Agron Zeneli. Në kartën e identifikimit që ngjante me ato të punonjësve të policisë, përshkruhej se mbajtësi i saj ishte efektiv i policisë së Korçës me gradën nënkomisar. Dokumenti në fjalë u dërgua menjëherë për ekspertizë nga ku rezultoi se ishte i falsifikuar. Nga ana tjetër, Prokuroria verifikoi në sistemin e Ministrisë së Brendshme nga ku u konfirmua se karta e identifikimit që mbante Dajti, nuk ishte prodhuar në këtë sistem. E prodhuar me falsifikim ka rezultuar edhe një patentë italiane, që i është gjetur të kërkuarit. Pas konfirmimit për emrat e ndryshëm të përdorur edhe në regjistrimin e numrave të përdorur gjatë qëndrimit në arrati, hetuesit pohojnë se i kërkuari kishte marrë një kompleks masash për t’i shpëtuar ndjekjes nga policia. Objekti kryesor i hetimit tani është ndonjë telefonatë e dyshimtë që mund të jetë bërë ditën e ngjarjes kur Dajti ekzekutoi me armë katër oficerët e policisë. Dyshimet se punonjës të rendit mund ta kenë njoftuar paraprakisht për aksionin janë duke u hetuar nga Ministria e Brendshme.                 tr.so   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›