Qeveria, skemat brenda PD-së
BLEDAR HOTI
Ngadalësohet procesi për formimin e qeverisë së re “Berisha 2”. Negociatat për krijimin e kabinetit qeveritar duken më të vështira për kreun e qeverisë, për shkak të preferencave që kanë ish-ministrat dhe figurat brenda PD-së për të marrë postet qeveritare. Pozicionet që do të marrin në qeverinë e re Lulzim Basha, Genc Pollo dhe Sokol Olldashi kanë qenë dje pjesë e konsultimeve të kryeministrit me drejtues të lartë të PD. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka zhvilluar tri herë konsulta në zyrën e tij me nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli në lidhje me caktimin e ministrave të rinj. Konsultimet janë kryer paradite dhe pasdite, me qëllim për t’i dhënë dorën e fundit të posteve ministrore. Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi janë kandidatë për postin e ministrit të Transporteve, edhe pse ky i fundit duket se është më pranë. Sipas burimeve nga PD, mësohet se ish-ministri i Jashtëm ka shprehur preferencën e tij për t’iu rikthyer pozicionit të mëparshëm, tek Transportet. Zgjidhja tjetër mund të jetë që Basha të marrë edhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke u vënë kështu përballë Genc Pollos, i parashikuar për këtë post. Në rast se pranohet një skemë e tillë, Pollo mund t’i rikthehet Ministrisë së Arsimit për ta drejtuar atë si në 2005. Varianti tjetër, në të cilin Pollo qëndron si ministër i Mbrojtjes, mund të sjellë caktimin e Myqerem Tafajt si ministër të Arsimit. Ndërsa opsioni tjetër mund të përfshijë Olldashin si ministër Mbrojtje, Bashën ministër të Transporteve dhe Pollon si ministër të Arsimit. Mësohet se kandidatë për të marrë postin e ministrit të Mbrojtjes janë edhe Ferdinad Xhaferri dhe Leonard Demi, ndërkohë që Kryeministri nuk ka vendosur ende nëse do ta përfshijë Genc Rulin në qeveri pas zyrtarizmit të Dritan Priftit në ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës. Nuk përjashtohet mundësia që Ruli të drejtojë Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Ndërsa edhe pse Ridvan Bode shihet sërish si ministër i Financave, burime brenda PD-së theksojnë se si një opsion i mundshëm në këtë post shihet edhe ish-zëvendësi i tij, deputeti aktual Florian Mima. Ndërsa Majlinda Bregu pritet të jetë e vetmja femër në qeverinë Berisha.
Përsa u përket aleatëve, duket se Partia Republikane do të marrë Ministrinë e Mjedisit, ku kryetari i saj Fatmir Mediu të rikthehet në qeveri. Ministria e Punës pritet të drejtohet ose nga një ministër i PBDNJ ose një nbga deputetët minoritarë të Pd. Në rast të refuzimit nga Dule, atëherë ky post pritet t’i kalojë Spiro Kserës ose Kosta Barkës. Ndërsa Enkelejd Alibeaj DUKET sigurt në krye të ministrisë së Drejtësisë.
Basha, kryetar grupi
Në bisedimet ndërmjet Berishës dhe Topallit është diskutuar edhe në një variant të mundshëm, ku Lulzim Basha të caktohet si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, duke përfaqësuar zërin e maxhorancës në Kuvendin e ri. Por ky opsion duket i vështirë praktikisht për arsye se në bazë të statutit duhet të jetë njëkohësisht edhe nënkryetar i PD, post që aktualisht mbahet nga Astrit Patozi. Një arsye tjetër që e mban larg Bashën nga ky opsion janë edhe marrëdhëniet e tij të vështira me kryetaren e Kuvendit, Topalli.
Kryeministri Berisha synon të krijojë qeverinë e re deri ditën e hënë, për t’ia paraqitur më pas zyrtarisht Presidentit të vendit emrat e kabinetit të ri qeveritar, kjo pas betimit të tij si kryeministër. Në formimin e këtij kabineti, Berisha po vlerëson disa kritere në formimin e qeverisë së re, ku përveç përfaqësimit të drejtë krahinor, po merr në konsideratë dhe peshën që kanë këto deputetë në parti, duke ruajtur njëkohësisht dhe konjukturat.
Mazhoranca pritet t’i dërgojë këto ditë letrën Presidentit Topi për të mandatuar zyrtarisht Berishën si Kryeministër.