Burrel, aksidentohet drejtori i KESH-it
BURREL - Drejtori i KESH-it të Burrelit u aksidentua rëndë dje duke rënë në një humnerë rreth 200 metra të thellë. Luan Rami, pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Laçit, u nis urgjent drejt atij ushtarak në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30, në rrugën nacionale Burrel-Milot. Burime të policisë bënë të ditur se, në afërsi të fshatit Skuraj, makina "Benz" fuoristradë e drejtorit rajonal të shpërndarjes së KESH-it në Burrel, Luan Rami, ka dalë nga rruga. Ai ndodhej i vetëm në makinë, duke u rrëzuar bashkë me të në humnerë, për të përfunduar në një përrua. Banorë të zonës njoftuan policinë, ndërsa nxorën nga gremina të plagosurin. Sipas Policisë Rrugore, shkak i aksidentit është bërë dëmtimi i rrugës në kthesë, lagështira, por edhe shpejtësia e madhe e drejtuesit të mjetit. Për këto kushte një makinë u përplas me bordurën mbrojtëse të rrugës nacionale Librazhd-Përrenjas, duke shënuar vdekjen e 62-vjeçarit Josif Tuka dhe plagosjen e drejtuesit, Dionis Kuça. r.n