Niset në Itali viktima i gazit, ambasada jep “OK” për Canin
BERAT - Ministria e Shëndetësisë nisi mbrëmë në një spital të Brindizit në Itali, Beqar Canin, njëri nga viktimat e gazit në fshatin Lapardha të Beratit. Për shkak se mjekët nuk dhanë shpresa jete për 40-vjeçarin, ministria ndërmjetësoi dhe mori "OK" nga ambasada italiane për kurimin e tij në Brindizi. Sipas mjekëve, Canit i është djegur mbi 70 për qind e trupit dhe gjendja e tij është tepër e rëndë. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi mbrëmë lajmin, duke bërë të ditur se ishin përgatitur të gjitha procedurat dhe pritej një helikopter ose një avion ushtarak që do të vinte të merrte të plagosurin. Sipas burimeve, shpenzimet do t'i mbulojë rajoni i Pulias. Ministria po ndërmjetëson edhe për Pashanjor Agon, shofer i autobotit që do furnizonte me gaz cisternën. Mësohet se edhe gjendja e tij është në rrezik për shkak të shkallës së rëndë të djegies. Ndërsa më lehtë paraqitet gjendja për Zana Canin. Vogëlushja e saj, Ardenisa Cani gjeti vdekjen të hënën, pas shpërthimit të flakëve nga cisterna e gazit. Ndërkohë, ngjarja e Lapardhasë ka vënë në panik banorët e Beratit, ku pikat e gazit ndodhen nëpër lagjet e qytetit. Ato janë të vendosura jashtë të gjitha rregullave të sigurimit teknik, duke rrezikuar jetën e banorëve. Specialistja pranë Bashkisë së Beratit, Mirela Buhuri u shpreh se, për bizneset e rrezikshme i është drejtuar ministrive përkatëse për të ndaluar aktivitetin e tyre. Sipas saj, brenda qytetit të Beratit, janë 30 pika shpërndarje gazi dhe 6 pika karburanti. Prania e tyre rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve. Sipas bashkisë, këto pika janë ndërtuar në ambiente të banuara. "Kemi operuar me gjoba, ndërsa 12 prej tyre ua kemi ndaluar aktivitetin", bënë të ditur burimet në bashki. d.xh