Ish-zv.ministër në kohën e PS, Duro zëvendëson Barkën
Anastas Duro, ish-zv/ministër i Drejtësisë gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, do të drejtojë për këtë pjesë të mbetur të mandatit deri në zgjedhjet e ardhshme Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Pas takimeve të fundit mes kryeministrit Berisha dhe drejtuesve kryesorë të PBDNJ-së, Vangjel Dule e Spiro Peçi më në fund është rënë dakord për emrin e Duros. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme në një kohë rekord është dekretuar edhe ndryshimi më i fundit në qeveri dhe pritet që në javën e ardhshme të kalojë edhe në Parlament. "Në mbështetje të pikës 1, të nenit 98, të Kushtetutës, Kryeministri Sali Berisha i propozoi sot, Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, shkarkimin e zotit Koço Barka nga detyra e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe emërimin e zotit Anastas Dhimitër Duro në detyrën e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta", thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Brenda pak orësh, ndërkohë që Berisha ishte në krah të Kosta Barkës gjatë një aktiviteti për trafikimin e fëmijëve, edhe presidenti Topi ka hedhur firmën mbi dy dekrete, atë të shkarkimit të Barkës dhe emërimit të Anastas Duros si ministër i Punës. Pas vendimit të kryesisë së PBDNJ-së për shkarkimin e Kosta Barkës, u vendos që kryeministrit Berisha t'i propozohej emri i Andrea Martos për postin e ministrit, ndërkohë që pak kohë më parë ai ishte shkarkuar nga posti i sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, pikërisht nga Kosta Barka. Por kryeministri Berisha nuk e pranoi emrin e Martos, çka detyroi PBDNJ-në që të vendoste për Anastas Duron.