E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e neurologut, mjekët në protestë

 

VLORE / QEMAL BIRAKU

Mjekët e Vlorës zbehin shpresat për jetën e neurologut, Kosta Koçi, i cili u qëllua para klinikës ku punonte, plot 11 herë me thikë.    Pas një operacioni të rëndë, që zgjati 5 orë, u duk se gjendja e mjekut e kaloi rrezikun. Por, dje në mëngjes, 65-vjeçari kaloi në gjendje koma. Kolegët e tij të Vlorës janë pesimistë për jetën e tij, duke deklaruar se plagët i kanë sjellë atij komplikacione të rënda. Ata e nisën dje urgjent në Tiranë për një trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak. Drejtoria e spitalit u konsultua edhe me Ministrinë e Shëndetësisë përpara se të niste mjekun drejt Tiranës. Por sipas mjekëve, nuk mund të bëhej transportimi me helikopter për vetë specifikën e shëndetit të rënduar të tij. Ata pohuan se ministria nuk dispononte në momentet që është kërkuar një helikopter, që të mund të mbahej i plagosuri gjithë rrugës me oksigjen dhe aparatura të tjera. Gjendja e rënduar e Koçit ka sjellë reagim të menjëhershëm të mjekëve. Ashtu si dhe ishte paralajmëruar, bluzat e bardha protestuan dje para godinës së spitalit. Drejtori i spitalit, Luter Nuraj, u shpreh se gjendja e Koçit është rënduar. "Ai vijon të ketë probleme, që padyshim i kanë ardhur si pasojë e hemorragjisë nga plaga në qafë. Thika ka përshkuar dhe këputur një venë që shkaktoi hemorragjinë. Po ashtu janë shfaqur edhe komplikacione të tjera. Po e dërgojmë në Tiranë pasi aty janë më të specializuar në këtë sferë dhe disponojnë aparaturat më efikase, me shpresën se jeta e tij nuk do të rrezikohet. Sot jemi disi pesimist për gjendjen e tij shëndetësore, pasi ai ka rënë sërish në gjendje kome", u shpreh Nuraj. Ndërsa në lidhje me protestën, Nuraj pohoi se, e mbështeste plotësisht iniciativën e mjekëve të cilët çdo ditë jetojnë me stresin në përballjen me familjarët e pacientëve të ndryshëm. "Kjo protestë le të shërbejë si akt ndërgjegjësimi për të gjithë komunitetin dhe qytetarët. Këtu vijnë të plagosur, persona me sëmundje kronike, me infarkt etj., e familjarët gjithmonë nervozohen me mjekët, apo personelin mjekësor në spital duke ushtruar dhunë verbale deri në dhunim të mjekëve. Ne si personel mjekësor kërkojmë respekt për punën tonë", vijoi më tej Nuraj. Ndërsa Fatmir Brahimi, që është shef i pediatrisë në spitalin e Vlorës u shpreh: "Kjo protestë le të shërbejë për të sensibilizuar opinionin publik, pasi të tilla veprime të drejtuara ndaj bluzave të bardha janë të pafalshme. Ne kërkojmë më shumë siguri dhe mbrojtje". Në të njëjtën linjë pohimi ishte edhe radiologu Agim Tetova. "Ne jemi çdo ditë nën presionin e njerëzve të ndryshëm që na kërcënojnë, na fyejnë e nuk na lënë të punojmë të qetë. Jemi këtu për qytetarët dhe krejt komunitetin. Ne privohemi nga ditët tona për t'i shërbyer këtij komuniteti e për të shpëtuar jetë. Është e rëndësishme që njerëzit të ndërgjegjësohen për këtë", u shpreh mjeku Tetova ndërsa ishte në protestën e bluzave të bardha të Vlorës. Policia tashmë ka nisur hetimet, por ende nuk e ka identifikuar autorin. Për informatorin e vendndodhjes së tij, blutë kanë vënë në dispozicion 300 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›