Skandalet e korrupsionit dëmtojnë zgjedhjet në Itali
Në Itali sot votohet për të zgjedhur liderët e rinj rajonalë dhe këshillat e bashkive, një votim i karakterizuar nga një pjesëmarrje e ulët e votuesve. Skandalet e korrupsionit dhe ato personale me gjykatat në kryeministrit italian, Silvio Berluskoni duket se e kanë dëmtuar pjesëmarrjen në votime, gjë që tregon se opozita është më shumë e favorizuar në këto zgjedhje. “Episodet e fundit të korrupsionit dhe rreziku i papunësisë i ka mbajtur larg qendrave të votimit italianët”, - tha Nando Pagnonceli, i sondazheve IPSOS, për Reuters. Më shumë se 41 milionë njerëz kanë të drejtë vote për guvernatorët e 13 nga 20 rajonet e Italisë, si dhe kryetarët e katër provincave dhe rreth 500 minibashkive. Votimi përfundon të hënën në orën 3 të pasdites. Berluskoni ka mohuar çdo lloj kërcënimi nga partneri i tij në koalicion “Lidhja e Veriut” (Lega Nord), i cili mund të fitojë më shumë pikë në veri, por kryeministri u kërkoi mbështetësve të tij të evitonin pjesëmarrjen e ulët në votime, siç ndodhi në zgjedhjet rajonale franceze, një votim që dëmtoi presidentin Nikola Sarkozi. Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja në votime deri në mbrëmje ka qenë 7 për qind më e ulët në krahasim me zgjedhjet e kaluara, pesë vite më parë. Sipas grupeve të sondazheve, PDL e Berluskonit është penalizuar në jug nga votuesit, ndërsa në veri është favorizuar “Lega Nord”. Vetë kreu i qeverisë italiane, Silvio Berluskoni, ndërsa ka mbërritur në qendrën 502 të votimit në Milano, në orën 11:45 të paradites tha: “Nëse heqim dorë nga pjesëmarrja në votim, do të gjejmë në krye Di Pietron. Nuk duhet të dorëzohemi. Me sa shoh, situata është shqetësuese dhe është krijuar nga një fushatë elektorale, që të gjithë e dinë sesi është kryer dhe çfarë argumentesh janë nxjerrë në shesh”, - tha ai. Sekretari i PD, Pierluigi Bersani, ka votuar në orën 11:00 në Piaçenca. Bashkë me familjen e tij dhe i buzëqeshur, Bersani u tha gazetarëve: “Kam fjetur shumë mirë, e kam ndërgjegjen të pastër, kemi bërë gjithçka që kemi mundur. Do të ishte një situatë më e mirë, nëse si në të gjitha vendet e botës, do të kishte një ballafaqim përballë me pretendentët e palëve”, - tha ai.
Ndërsa kundërshtari i fortë i Berluskonit, Di Pietro, tha: “Ka një zgjedhje të qartë për të bërë një votues: nëse do të qëndrojë në anën e styre që mbrojnë Kushtetutën, si ‘Italia e Vlerave’, apo ata që shkelin rregullat dhe demokracinë”. Votuesit kanë qenë mbrëmë në qendrat e votimit deri në orën 22:00 dhe do të votojnë edhe sot nga ora 7:00 deri në orën 15:00.