Papa nis “Javën e Shenjtë”: Nuk do të tërhiqemi nga thashethemet
Papa Benedikti XVI ka nisur “Javën e shenjtë” të dielën, duke sugjeruar se kisha katolike “nuk do të tërhiqej” nga skandali i abuzimeve seksuale, që e ka përfshirë atë. Vatikani po përpiqet t’i përshkruajë si thashetheme abuzimet seksuale të fëmijëve nga priftërinjtë në shumë vende të botës ku vepron kisha katolike. “Nga Zoti vjen kuraja se nuk duhet të tërhiqemi nga thashethemet”, - tha Papa. Ati i Shenjtë 82-vjeçar nuk e përmendi drejtpërdrejt krizën e abuzimeve që kanë ardhur nga Irlanda, Gjermania, Austria, Holanda, Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe së fundmi nga Italia. Ndërsa ai fliste, pelegrinët, me mijëra në shesh, bërtisnin “jetë të gjatë Papës”. Skandali i abuzimeve duket se nuk e kish prekur besimin e tyre. Papa Benedikti është akuzuar nga mediat se, në bazë të disa dokumenteve të mbledhura dhe dëshmive të disa priftërinjve, në kohën kur ishte kardinal, Josef Ratcinger për 24 vjet i ka mbuluar me dashje skandalet seksuale të një prifti përpara se të bëhej Papë, madje e ka caktuar atë edhe në një detyrë të re. Por Vatikani e ka mohuar këtë, duke i quajtur shkrimet si “përpjekje jo fisnike për të goditur Papa Benediktin XVI dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë me çdo kusht”. Zëdhënësi i Papës, At Federiko Lombardi, tha se përgjigja e krizës së abuzimeve seksuale ka qenë “efektive” dhe se ai kishte ndjekur gjithnjë një politikë “zero tolerancë”. Por Papa Benedikt XVI po përballet me një presion të ri, ndërsa në Itali, vendi ku janë përqendruar më shumë besimtarët katolikë, po shfaqen gjithnjë e më shumë raste abuzimi. Pas hipotezave të fundit, se Benedikti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në SHBA, kur ishte Kreu i Kongregacionit për “Doktrinën e besimit”. Kisha tani po tmerrohet, ndërsa në Itali numërohen gjithnjë e më shumë viktima, sipas Roberto Mirabile, kreut të “La Caramella Buona”, një grup italian kundër abuzimit.