E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, kryepolici mbron drejtorin për arratisjen

• Rrëfehet në gjykatë shefi i policisë së burgut të Burrelit.

BURREL / ENVER DOÇI

Thanas Rumnici, i arrestuar pas arratisjes së dy të dënuarve përjetë ka akuzuar ish-shefat e tij për veprime që sollën si pasojë ikjen e të burgosurve. Para fillimit të seancës Rumnici ka kërkuar të mos jenë të pranishme mediat, duke bërë që dëshmia e tij të sigurohet nga burime të brendshme të gjykatës. Sipas tyre, pohohet se Rumnici ka akuzuar shefat e tij të mëparshëm se nuk kanë ushtruar kontroll të vazhdueshëm dhe cilësor në mjediset e brendshme të burgut. "Për një periudhë të gjatë kamerat e sigurisë nuk kanë funksionuar dhe vetëm pas emërimit të Eduart Brahilikës ato janë rivënë në punë", është shprehur ai. I arrestuari për ngjarjen e rëndë ka vazhduar me argumentet e tij në lidhje me futjen e sharrës prej diamanti dhe celularëve në burg, duke mos përjashtuar mundësinë e implikimit të punonjësve të policisë së burgut. Një problem më vete mbetet ajo e shkallëve nga janë ngjitur të arratisurit mbi tarracën e burgut, nëpërmjet atyre që ndodhen nga brenda mjediseve të burgut. "Nga e kanë ditur Preng Lleshi e Fran Marashi se mbi tarracë nuk kishte punonjës të sigurisë?", ka shtruar pyetjen oficeri i burgjeve, Thanas Rumnici. Sipas këtij të fundit, nuk janë të rëndësishme deklarimet se janë dhënë informacione herë pas here strukturave të larta të burgjeve. E rëndësishme për Rumnicin janë masat e marra për parandalimin e ngjarjeve si ajo e 5 prillit, ndërsa ka vazhduar se dhe prej muajsh çelësi i magazinës së ushqimeve i ishte besuar një të burgosuri. Megjithë dëshminë e tij, gjykata vendosi dhe për Rumnicin masën e sigurisë në "burg pa afat". Në orët e pasdites ka dalë nga gjykata me furgonin e policisë së Burrelit edhe shefi i trupës, Rasim Hoxha, i cili kishte për detyrë të instruktonte dhe shoqëronte për në vendroje gardianët e burgut të sigurisë së lartë. I mbrojtur nga avokati Qazim Gjonaj ai ka deklaruar se, nuk është fajtor për ngjarjen e ndodhur. Për t'u mbrojtur Hoxha ka paraqitur plan-kontrollin që kishte nënshkruar në orët e paradites së 5 prillit dhe ku faktonte se kishte njoftuar eprorët e tij për ngjarjen e ndodhur në qelinë e Preng Lleshit e Fran Marashit. As provat e avokatit Gjonaj dhe as pohimet e oficerit të burgjeve, Rasim Hoxha, nuk e kanë bindur gjykatën të deklarojë lirimin e tij në sallën e gjyqit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›