E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sistemi ynë jo për të fortët dhe biznesmenët”

• Sistemi zgjedhor që propozon PS-ja përjashton të fortët dhe biznesmenët, që blejnë vota.

Aristir Lumezi

Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami i është përgjigjur dje deklaratave të bëra në tryezën e tre partive opozitare në lidhje me sistemin zgjedhor. Në një konferencë për shtyp, Islami tha se sistemi që PS propozon përmbush të gjitha standardet integruese të vendit. "Sistemi i ri zgjedhor, në themel të reformës zgjedhore, i mirë përshtatur me objektivat integrues, garanton të gjithë hapësirat dhe mundësitë që çdo votues të shprehet për një program, për një ekip dhe për një lider, dhe jo për një kandidat që ka shumë lekë apo rrethohet nga personazhe me muskuj të fortë. Ky sistem përbën edhe një mekanizëm të fuqishëm kundër korrupsionit e trafikut politik. Nisma dhe angazhimi ynë nuk janë për interesat e politikanëve, por për interesat e njerëzve të thjeshtë", tha Islami. Duke folur rreth deklaratave të aleatëve të PS-së të cilët janë kundër sistemit proporcional rajonal, Islami tha se, këto reagime vijnë nga mllefi që i ka kapur. "Më duhet të pohoj me keqardhje se me sa duket mllefi ka errësuar arsyen e disa partive, që sot janë në Kuvend falë aleancës me PSSH dhe që fatkeqësisht për një karrige të paarritshme nesër, tentojnë të minojnë fitoren e së majtës", tha Islami. Ai u ka bërë thirrje atyre që të reagojnë me qetësi për të mos bllokuar këtë reformë. "Ne me këtë rast, me qetësi e arsye të shëndoshë, pohojmë se mllefi kundër PSSH e kundër reformave nuk është argument, nuk është program, nuk është alternativë dhe mendojmë se me mllef nuk mund të ndërtohet e ardhmja, madje nuk ndërtohet asgjë dhe nuk shkohet asgjëkund", tha Islami. Bashkëkryetari socialist për Reformën Zgjedhore u shpreh se "përmes kësaj reforme, synohet reformimi e modernizimi i sistemit politik e të shtetit shqiptar, nga ku reforma zgjedhore përbën një prej shtyllave të saj themelore për realizimin e demokracisë parlamentare të standardeve të BE dhe NATO-s". "Kjo reformë shumëplanëshe e shtetit dhe sistemit politik përbën misionin tonë afatgjatë dhe objektivin prioritar, larg politikës së ditës dhe llogarive partiake afatshkurtra", u shpreh Islami. Tre partitë opozitare, LSI, PAD dhe PDS janë pozicionuar kundër sistemit proporcional rajonal, të propozuar nga Partia Socialiste dhe i mbështetur nga Partia Demokratike. Ata kanë thirrur mbajtjen e një tryeze opozitare, në të cilën kreu socialist nuk mori pjesë, ndërkohë që diskutimi në komisionin parlamentar të ligjeve nisi dy ditë më parë. Socialistët duket se mbeten të vendosur për të realizuar reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese që ajo kërkon, në bashkëpunim bipartizan me Partinë Demokratike. Por brenda konsensusit të ofruar nga PS dhe përplasjeve të saj me aleatët, demokratët kanë hedhur në tryezën e Komisionit të Ligjeve edhe propozime të reja, përveç reformës zgjedhore që prekin edhe kompetencat e presidentit dhe çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin qeverisës në parlament.

Koçi: Rama është ndarë nga e majta
Drejtuesi i Lëvizjes Institucionale Socialiste, Petro Koçi ka adresuar kritika të ashpra në adresë të lidershipit të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama. Sipas tij, Rama i ka ofruar konsensusin Sali Berishës për të konsoliduar pushtet personal. "Sjellja e PS dhe Edi Ramës pas tragjedisë së Gërdecit si edhe shitja politike e pasojave fatale të saj për të blerë konsensusin e Saliut për një sistem zgjedhor, i cili çimenton pushtetet personale, përbën ngjarjen më të shëmtuar politike të historisë së pluralizmit tonë", deklaroi dje Koçi. Deputeti socialist shprehet se, në këto kushte Lëvizja Institucionale Socialiste do të rrisë rolin e saj për të pozicionuar si duhet elektoratin e majtë veçanërisht pas tragjedisë së Gërdecit dhe krimit shtetëror që e shkaktoi atë. Duke komentuar pozicionin e lidershipit të PS-së përballë krimit që u shkaktua në Gërdec, Koçi u shpreh se: "Ndarja me të majtën dhe bashkimi me Berishën përbëjnë vijën aktuale të lidershipit të PS-së, lidership i lidhur fort me fenomenin Delijorgji".

Ndre Legisi
Lidershipi i PS, mirë që nuk dëshiron të njohë asgjë nga puna e bërë nga kolegët e majtë në 8 vitet e Qeverisjes socialiste, por tashmë do dhe që të shkatërrojë Kushtetutën e miratuar me mjaft mund dhe të kundërshtuar nga Berisha, duke i dhënë një tjetër garanci këtij, në rast humbje të maxhorancës në Kuvend. Këto dispozita të veçanta cenojnë rëndë Kushtetutën dhe themelet e saj. Elektorati shqiptar po sheh se çfarë konsekuence dhe sinqeriteti ekziston në përpjekjet opozitare për rrëzimin e Berishës mes pakteve dhe protestave, mes largimit të ish- kryeprokurorit dhe besimit tek prokurori i ri.

Ilir Meta
"Rama dhe Berisha synojnë të krijojnë një sistem të mbyllur politik, i cili të kontrollohet jo nga dy parti, sepse do të kishim të paktën gjysmën e së keqes, por nga dy persona. Që do të thotë që mos të kemi një Berishë, por të kemi dy Berisha në të ardhmen. Ata duan të krijojnë një sistem, i cili do të favorizojë jo thjesht këto dy parti, por do të favorizojë këta dy kryetarë. Shqetësimi i tyre janë listat e mbyllura që ju dhe të gjithë shqiptarët të mos kenë të drejtë të vendosin se kush do t'i përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm, në mënyrë që deputetët të mos jenë më njerëz të lirë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›