E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masivi i kromit plagos punëtorët

• TROPOJE - Tre punëtorë që po mblidhnin krom për llogari të një firme private u plagosën kur një masiv minerali ra mbi trupat e tyre.

 Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vlad të komunës së Bytyçit në Tropojë. Policia njoftoi se aksidenti ndodhi në orët e pasdites të së mërkurës kur Brahë Imeraj, 40 vjeç, Skënder Sinani, 20 vjeç dhe Hajri Sinani, 19 vjeç, nga fshati Vlad i komunës së Bytyçit ishin duke punuar në një vendburim minerali të kromit në zonën e Kamit. Shkak i plagosjes ka qenë shembja e një masivi minerali në momentin që ata ishin duke punuar. Kur po gërmonin në një stok kromi është provokuar rrëshqitja e një masivi minerali, i cili ka mbuluar trupat e tyre. Ngjarja është parë nga punëtorë të tjerë, reagimi i të cilëve ka qenë i menjëhershëm. Të ndihmuar edhe nga banorë të zonës, ata kanë bërë të mundur në një kohë të shpejtë nxjerrjen e trupave. Pasi i kanë nxjerrë nga masivi i shembur, tre punëtorët e plagosur janë dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore në spitalin e Tropojës. Pas dhënies së ndihmës së parë të dëmtuarit janë nisur për shërbim më të specializuar në spitalin e Gjakovës në Kosovë. Mësohet se në këtë zonë dhe në atë të Hasit, që njihet si zonë mineralmbajtëse kryesisht e kromit, ushtrojnë aktivitetin e tyre privat 7 firma të licencuara, të cilat pjesën më të madhe të mineralit të kromit e sigurojnë nga banorët sesa nga nxjerrjet nëpër galeritë e braktisura.          j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›