E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, mbyllet debati për Skënderbeun, s’do zhvendoset

 

BURREL/ HASAN PASHA

Busti i heroit tonë kombëtar nuk do të lëvizet nga sheshi para Bashkisë së qytetit të Burrelit. Ky është vendimi i marrë me shumicë votash në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të qyteti verilindor, duke i dhënë fund debateve. Ndryshe nga mbledhjet e kaluara dje është diskutuar më shkurt dhe kanë munguar replikat mes këshilltarëve. As të majtët dhe as të djathtët nuk janë zgjatur në diskutimet e tyre, pasi autori i realizimit të shtatores, Maksim Shurdhi ka ndihmuar shumë në përfundimin e debatit rreth heqjes së bustit të Skënderbeut dhe vendvendosjes së shtatores së ish-mbretit Ahmet Zogu. Shurdhi, skulptori, të cilit i është besuar ndërtimi i shtatores së Zogut është shprehur në mbledhjen e këshillit se shtatorja e ish-mbretit duhet vendosur në sheshin “Demokracia”. Propozimi i skulptorit Shurdhi është hedhur në votë nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Besnik Murati. Pro propozimit të skulptorit ishin 12 këshilltarë, 2 kundër, ndërsa vetë kryetari i këshillit, njëkohësisht kryetar i PLL-së ka abstenuar. Këshilltarët që votuan kundër u shprehën se ata dëshironin që busti i heroit kombëtar të vendosej në një shesh tjetër dhe shtatorja e Ahmet Zogut të ngrihej në sheshin para bashkisë, në sheshin me emrin e tij dhe pranë lulishtes “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë”. Drejtuesit e bashkisë janë shprehur se janë dakord me vendimin e Këshillit Bashkiak dhe se do ta zbatojnë atë pas konfirmimit në Prefekturë. Mësohet se shtatorja e ish-mbretit Zog është drejt përfundimit. Ajo do të jetë 4.7 metra e lartë dhe do të vendoset në sheshin “Demokracia”, duke i dhënë fund në këtë mënyrë debateve për heqjen e bustit të Skënderbeut dhe zëvendësimit të tij me atë të ish-mbretit Zog. Debati nga Burreli u përhap në rang kombëtar, duke u cilësuar si një propozim, që cenonte figurën e heroit tonë kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›