Kakome rrihen dy policë të “So Vip”
SARANDE - Përfundojnë në spital pas dhunës dy policë privatë të “So Vip”. Ngjarja ndodhi dje pas reagimeve të dhunshme në terren, në vendin e quajtur Gryka e Prodanit. Prej 11 ditësh, banorë të Nivicës rrinë në mbrojtje të Kakomesë, duke mos lejuar firmën “Riviera” për nisjen e punimeve për ndërtimin e fshatit turistik. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë së Sarandës, mesditën e djeshme në urgjencën e spitalit janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore Refat Hoxha nga Saranda, i cili ishte plagosur në kokë dhe Halil Shanaj nga Tirana, të dy efektiva të policisë private “So Vip”. I plagosuri Halil Shanaj rrëfeu gjithçka kishte ndodhur, ndërsa ata ishin në punë. “Isha me shërbim rreth 300 metra larg nga gryka e Prodanit. Një prej banorëve të Nivicës erdhi e na u turr. Ai nisi të na gjuante. Pak më vonë erdhën edhe banorë të tjerë, që ishin atje dhe u turrën me gurë dhe qëlluan mbi ne. Ata tentuan të na merrnin edhe peng”, u shpreh Shanaj. Banorët kanë thyer edhe xhamin e makinës së të plagosurit tjetër, “Benz” 190 me targë SR 2539 B. Policia kriminale e Sarandës nisi hetimet, duke bërë këqyrjen e autoveturës së dëmtuar të policit të dhunuar dhe në mjediset e urgjencës mori edhe denoncimin e dy të dëmtuarve. Sipas mjekëve, pas ndihmës së parë gjendja e dy efektivëve të policisë është jashtë rrezikut, ndonëse ata kanë pësuar fraktura të rënda. Pak ditë më parë, policia e Sarandës arrestoi katër banorë të këtij fshati, të cilët nuk lejuan mjetet e rënda të nisnin punimet. Ata kundërshtuan forcat e rendit e për pasojë, përfunduan përtej hekurave.