Padia e Bashës, Prokuroria letër Gjykatës
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi dje një letër Gjykatës së Tiranës, të cilës i kërkon të heqë dorë nga shqyrtimi i padisë së Lulzim Bashës dhe avokatit të tij, pasi kjo çështje nuk është kompetencë e saj. Burime zyrtare nga organi qendror i akuzës thanë se iu drejtuan Gjykatës së Tiranës me një shkresë të firmosur nga Arben Kraja, prokuror i dosjes “Durrës-Kukës” dhe drejtori i Hetimit e Ndjekjes Penale, Zamir Shtylla. Letra është dërguar në gjykatë rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, vetëm 24 orë para se togat e zeza të Shkallës së Parë të fillojnë shqyrtimin e padisë së bërë nga Lulzim Basha dhe avokati i tij, Zef Nikaj, që u ankuan kundër Prokurorisë. Javën që shkoi ata depozituan padinë në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të Prokurorisë për të marrë të pandehur për “shpërdorim detyre” ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe thirrjen e tij për t’u pyetur si person nën akuzë. Në ditën kur Prokuroria e Përgjithshme priste paraqitjen e Bashës në cilësinë e të pandehurit, avokati i tij Zef Nikaj mbërriti në zyrën e prokurorit të çështjes dhe e njoftoi atë për padinë e bërë në Gjykatën e Tiranës. Një ditë para se të fillojë shqyrtimi i kësaj padie, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua Gjykatës zyrtarisht, duke pohuar se “sipas Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitave në fuqi, Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka kompetencë lëndore të shqyrtojë çështje që kanë të bëjnë me persona që gëzojnë imunitet parlamentar, siç është rasti i ministrit Basha”. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme pohuan se gjithsesi, prokurori i dosjes “Durrës-Kukës” do të paraqitet sot në gjyq, por ai do të rilexojë aty letrën e nisur që dje, ku kërkohet që Gjykata e Tiranës të shpallë moskompetencën për padinë në fjalë. Sipas legjislacionit penal, çështjet që kanë të bëjnë me persona që gëzojnë imunitet, duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë.
Dosja në Gjykatën
e Lartë
Dosja penale nr. 1 e regjistruar në janar 2007 në Prokurorinë e Përgjithshme për çështjen “Durrës-Kukës”, tashmë me dy të pandehur Lulzim Basha dhe Andi Toma, do të gjykohet në Gjykatën e Lartë. Kjo është gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjeve penale që kanë të bëjnë me personat që gëzojnë imunitet, siç është rasti i dosjes “Durrës-Kukës”, ku i pandehuri kryesor është ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ai akuzohet se bashkë me ish-vartësin e tij në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma, ka shpërdoruar detyrën gjatë procedurave të ndjekura me prokurimin, tenderimin dhe financimin e segmentit Rrëshen-Kalimash si dhe përgatitjen e katër projektvendimeve të Qeverisë për këtë çështje. Prokuroria, bazuar në akt-ekspertimin e dy specialistëve të licencuar, dyshon se dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit në këtë rast është 232 milionë euro. Dëmi mësohet se është shkaktuar përmes faturimit në buxhetin e shtetit të dyfishit të çmimit të tregut për artikujt e përdorur në ndërtimin e segmentit rrugor, që është kthyer në objekt hetimesh që prej muajit mars 2007. Shqyrtimi i dosjes në Gjykatën e Lartë për shkak të imunitetit parlamentar të Bashës, u lë dy të pandehurve si të vetmen mundësi apelimi Gjykatën Kushtetuese në rast se nuk bien dakord me vendimin përfundimtar të procesit.
“Lufta e ftohtë” me Prokurorinë pas akuzës së ngritur ndaj Bashës
TIRANE – Vendimi i Prokurorisë për ngritjen e akuzës ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, ndeshi që në momentin e parë në kundërshtimet e këtij të fundit. Ministri, por edhe avokati i tij, i konsideruan që në fillim si të paligjshme veprimet e Prokurorisë. Ata u bazuan në një vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Tiranës, e cila më 18 nëntor 2008 urdhëroi mbylljen e hetimeve për dosjen Durrës-Kukës, pas një padie të bërë nga të pandehurit Armand Teliti dhe Andi Toma. Duke vlerësuar se gjykata kishte ndaluar kryerjen e çdo veprimi me dosjen pas datës 6 nëntor 2008, avokati i ministrit Basha e konsideroi të paligjshëm aktin e ngritjes së akuzës nga Prokuroria, i cili mban datën 24 nëntor 2008. Por organi i akuzës reagoi menjëherë, duke thënë se vendimi i Gjykatës së Tiranës kishte vlerë vetëm për ata që u ankuan, pra Andi Toma dhe Armand Teliti, ndërsa nuk shtrinte efekt mbi ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Madje, Prokuroria deklaroi se derisa ishte një vendim i dhënë nga Gjykata e Tiranës, që nuk është kompetente për personat me imunitet, ky ishte një tjetër argument që tregonte se vendimi ishte i pazbatueshëm në rastin e ish-kreut të dikasterit të Transporteve. Nga ana tjetër, duke i qëndruar linjës së përcaktuar që në fillim, avokati i ministrit Basha depozitoi padi në Gjykatën e Tiranës, pikërisht në ditën kur Prokuroria priste paraqitjen e klientit të tij si i pandehur. Në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkohet të shpallen të pavlefshme veprimet e Prokurorisë ndaj ministrit Basha, konkretisht akti i marrjes së tij në cilësinë e të pandehurit për shpërdorim detyre dhe thirrja e tij që mban datën 24 nëntor 2008, për t’u pyetur si person nën akuzë. tr.so