E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e Bashës, Fatmira Hajdari nis shqyrtimin

 

TIRANE – Gjykata e Tiranës pritet të nisë sot shqyrtimin e padisë së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për pavlefshmëri të procedurave të njoftimit të ministrit për mbylljen e hetimit, veprime këto të kryera pas datës 6 nëntor 2008. Këtë afat e ka vendosur si të fundit gjykatësi kryeqytetas Sokol Tona, në bazë të kërkesës së depozituar në gjykatë nga dy të bashkëhetuarit me Bashën, Armand Teliti dhe Andi Toma. Pas nxjerrjes si të pavlefshëm të të gjitha veprimeve hetimore, avokati i ministrit Basha iu drejtua Gjykatës për të shpallur të pavlefshme procedurat e njoftimit të tij nga prokurori i çështjes për t’u paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme, ku do t’i komunikohej akuza. Pas dorëzimit paraditen e një jave më parë, padia e Bashës iu nënshtrua procedurave të shortit elektronik, i cili përcaktoi për ta shqyrtuar gjykatësen Fatmira Hajdari. Pasi u njoh me materialin paraprak, gjykatësja vendosi që seanca e parë të jetë sot në orën 12:30. Avokati i Bashës pohon se objekti i padisë së ministrit mbështetet ligjërisht në paragrafin e dytë të nenit 128 të Kodit të Procedurës Penale. Paditësi është mbështetur në nenin 128 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur respektohen dispozitat që lidhen me të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen në procedim. Ndërsa në fund të këtij neni pohohet se një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm, nuk mund të bëhet i vlefshëm. Në të njëjtën ditë që u paraqit padia në Gjykatë, ministri Basha refuzoi të paraqitej në Prokurori, ku do i komunikohej akuza për marrjen si i pandehur në çështjen e rrugës “Durrës–Kukës”. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›