Maskat përleshen me familjarët
DURRES / OERD ULQINI
Dy grabitës të pajisur me maska dhe të armatosur me leva kanë dështuar në tentativën e tyre për të bastisur një shtëpi në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ata kanë marrë arratinë, pas një përleshjeje spektakolare mes të zotëve të shtëpisë dhe keqbërësve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 24:00, kur në banesën e shtetasit Zenel Berberi janë shfaqur maskat. Kryefamiljari 62-vjeçar pasi ka dëgjuar zhurmë të çuditshme është zgjuar. Sapo është përballuar me maskat, këta të fundit e kanë qëlluar me mjetet që kishin në duar. Ndërkohë është zgjuar e alarmuar edhe e shoqja e të zotit të shtëpisë, Ikbale Berberi, 58 vjeç si dhe vajza e tyre 25-vjeçare, A.Berberi. Të tre familjarët janë përleshur me hajdutët, për të mos i lënë të arrinin qëllimin e tyre. Gruaja ka përfunduar pandjenja si i shoqi, ndërsa e vetmja që ka mundur të luftojë për disa minuta me autorët ka qenë 25-vjeçarja. Ajo ka marrë plagë të rënda nga goditjet, por ka mundur që gjatë përleshjes t'i heqë nga koka kapuçin njërit prej grabitësve. Nga frika e zbulimit dhe përballë vendosmërisë së familjarëve për të mbrojtur pronën e tyre me gjak, autorët kanë parë si alternativë të vetme arratisjen, pa grabitur asgjë. Të tre të dëmtuarit, që të gjithë pjesëtarë të familjes Berberi ndodhen në Spitalin Rajonal të qytetit për ndihmë mjekësore. Ata janë dërguar fillimisht në reanimacion, por tani gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendngjarje me të mbërritur sinjali në Sallën operative të Qarkut. Ndonëse personat kanë qenë të maskuar, në bazë të përshkrimit fizik të tyre nga të dëmtuarit, policia është në prag të ndërtimit të identikitit të tyre. Dyshohet se grabitësit kanë studiuar me detaje planin dhe se ata mund të jenë banorë të fshatrave pranë ose të periferisë së Durrësit. Nga hetimi i kryer në vendngjarje, policia ka mësuar se dy autorët kanë shkelur fillimisht në oborrin e një shtëpie pranë, ku kanë këputur dhe ngrënë disa portokaj. Veç dëmeve të shkaktuara, dy grabitësit kanë lënë shenja të rëndësishme për të zbardhur krimin. Sipas policisë, gjurmët në vendngjarje, kapuçi i njërit prej autorëve si dhe ndonjë njollë gjaku e lënë gjatë përplasjes fizike me banorët e shtëpisë do të hedhin dritë e zbardhin shkencërisht autorësinë. Ngjarja ndodhi në fshatin Rrashbull, pak kilometra nga Durrësi, në një zonë të mbipopulluar vitet e fundit. Familja Berberi kishte njerëz në emigracion dhe duket se autorët e kanë vënë në shënjestër me dyshimin se mund të gjenin aty para.