Bursa studimi në Poloni,Çeki, Hungari e Sllovaki
Bursa studimi në Çeki, Sllovaki, Hungari e Poloni. Ministria e Arsimit bëri dje me dije, se afati i fundit i aplikimit online është data 30 janar. "Për një informacion më të hollësishëm lidhur me llojin e bursave që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit, si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, të interesuarit duhet t'i referohen adresës së internetit: http://scholarships. visegradfund.org", sqaron MASH. Sipas këtij dikasteri, bursat në fjalë për këtë vit akademik mundësohen nga sektori i Fondit Ndërkombëtar të Visegradit, themeluar nga qeveritë e 4 vendeve pjesëmarrëse në grupin Visegrad (Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Poloni). "Kjo në kuadër të Programit të Bursave Visegrad, për bursa universitare ose pasuniversitare", nënvizon MASH. Ky është vetëm një nga programet ku mund të përfitojnë studime falas studentët shqiptarë. Ndërkaq, për këtë vit është rritur ndjeshëm edhe fondi i ekselencës. Në sajë të tij studentët e shkëlqyer shqiptarë mund të fitojnë bursa për studime jashtë vendit. Kusht për aplikantët veç rezultateve të shkëlqyera është kthimi për 5 vjet punë në vendin tonë. Projekti i qeverisë ka nisur që vitin e kaluar, me qëllim stimulimin e studentëve, por edhe kthimin e trurit.