E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, vdes nga i ftohti babai i tre fëmijëve

 

KUKES/KORÇE - I ftohti merr jetën e një 38-vjeçari në Kukës, ndërsa alkooli "vret" një 40-vjeçar në Korçë. Sipas policisë së Kukësit, babai i tre fëmijëve ndërroi jetë mbrëmjen e të enjtes, ndërsa po pastronte dëborën në oborrin e shtëpisë së tij. Ekspertët e mjekësisë ligjore konfirmuan se viktima kishte vdekur nga infarkti. Megjithë ndihmën e familjarëve të tij, ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Sipas mjekëve, një ndër shkaqet e infarkteve është i ftohti dhe temperaturat e ulëta, të cilat kanë qenë prezente ditët e fundit në të gjithë vendin. Një ditë para kësaj ngjarjeje, një elektricist 31-vjeçar u godit nga infarkti, por mundi të shpëtojë pasi u dërgua me urgjencë në Tiranë. Ndërkohë, Artan Tafka nga fshati Zëmblak i Korçës gjeti vdekjen si pasojë e mbidozës së alkoolit. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore konkluduan se toksikimi nga rakia dhe llojet e tjera të pijeve alkoolike i morën jetën 40-vjeçarit. Të njohur të tij treguan se për shkak të teprimit në pije, ai nuk kishte krijuar familje. Pas vdekjes së prindërve u braktis edhe nga të afërmit e tij. Tafka jetonte në mjerim të skajshëm dhe nuk punonte. Kërkonte lokaleve të Korçës apo në fshat, por jo bukë, por një teke raki. Të enjten Tafka kishte pirë në qytetin e Korçës dhe më pas në fshatin e tij. Por gjatë natës ishte rënduar. Disa të afërm të tij e gjetën pajetë mëngjesin e djeshëm. Ndërkohë, mister mbetet fati i një 34-vjeçari nga fshati Reç i Dibrës. Hysen Leka rezulton i humbur prej 3 janarit dhe dyshohet të jetë bllokuar nga bora.                                                      j.gj/ j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›