Burrel, pa zgjidhje familjet e pastreha
BURREL - Pas 18 dhjetorit, kohë kur u dogjën gjashtë shtëpi private në lagjen "Drita" të Burrelit, dje erdhi një tjetër lajm i keq për 43 banorë të mbetur pa strehim. Ministria e Financave nuk është përgjigjur pozitivisht kërkesës së bashkisë për të akorduar një fond të përshtatshëm për sigurimin e shtëpive në qytet. Konfirmohet se qeveria shqiptare i ka kërkuar Ministrisë së Financave fonde për blerjen e gjashtë banesave në treg për strehimin e tyre. Kryetari i Bashkisë Burrel Skënder Lleshi, gjatë një prononcimi për mediat deklaroi se qeveria kërkoi fonde për blerjen e banesave të këtyre familjeve, por Ministria e Financave dha përgjigje negative. Deri në gjetjen e një zgjidhjeje, Bashkia e Burrelit vë në dispozicion të familjeve një kat të zyrës së Tatim-Taksave. Ndërkohë banorët pohojnë se nuk furnizohen prej një muaji me energji elektrike, duke e ndjerë veten akoma më të harruar. Pak kohë më parë atyre u erdhën fatura afrofe në shuma të konsiderueshme, por u anuluan më vonë nga OSSH-ja, për shkak të gjendjes së vështirë të familjeve. Edhe pas 10 muajsh gjashtë kryefamiljarët kanë deklaruar se djegia e shtëpive të tyre private ka qenë e qëllimshme. Rikthimi i tyre në truallin e mëparshëm është i pamundur, pasi është parashikuar ndërtimi i një pallati, i pari pas 20 vitesh në qytetin e Burrelit. h.p