Mesfusha, dilema e Kuzhesë para Suedisë
Leonard Karaj
Do jetë një Shqipëri sulmuese. Ndonëse luhet përballë një kundërshtari shumë herë më të fortë në letër dhe për më tepër në fushën e këtij të fundit, trajneri Josip Kuzhe ka vendosur të mos i ndahet skemës së tij me dy sulmues. Veç kësaj kroati ka provuar disa skema gjatë ditëve stërvitore në Frankfurt ku më së shumti është përqendruar te reparti i mbrojtjes dhe i mesfushës. Madje kjo e fundit duket se është ajo që nuk është zgjidhur ende, pasi në kokën e Kuzhesë qarkullojnë disa variante, ku më specifikët lidhen me emrat e Gilman Likës dhe Jahmir Hykës. Njëri prej këtyre dy talenteve të futbollit tonë me siguri do të jetë i detyruar ta shikojë si fillim përballjen e fundit në grupin 1 ndaj Suedisë nga pankina kuqezi.
Varianti 1
Kuzhe nuk i ndahet mendimit se numri 1 i katërkëndorit të kombëtares duhet të jetë 22-vjeçari Samir Ujkani, duke lënë sërish në pankinë, Isli Hidin. Ujkani ka treguar një formë shumë të mirë edhe në kampionatin italian Serie C me Novarën duke shpëtuar nga gola të sigurt portën e tij. Dhe jo pa shkak Novara renditet e para në C1. Ndërsa mbrojtja do të jetë po ajo e përballjes me Danimarkën, Dallku-Cana-Curri, me të vetmin ndryshim, i cili qëndron tek Altin Haxhi. 34-vjeçari, i rikthyer në kombëtare pritej të luante në mesfushë por si duket Kuzhe ka më shumë nevojë për eksperiencën e tij në repartin e mbrojtjes. Ndryshimi tjetër qëndron në mesin e fushës, ku përveç të përhershmëve, Duro, Bulku dhe Skela pritet të luajë edhe Gilman Lika. Ky i fundit me shumë gjasa do të mbajë krahun e majtë ndërsa Skela do të kalojë në të djathtin duke lënë Duron dhe Bulkun që të merren më shumë me veprimet mbrojtëse sesa me ato sulmuese.
Varianti 2
Ndërsa ideja alternativë qëndron sërish në mesfushë kur pritet që një tjetër talent, Jahmir Hyka të ulë në pankinë Gilman Likën. Atëherë do të ndryshojë edhe vendosja e mesfushorëve teksa Hyka do ta kalojë në të djathtë dhe Skela do të luajë në krahun e majtë të fushës, por duke qëndruar gjithnjë në kufirin mes mesfushorëve dhe sulmit. Ndërsa nuk ndryshon vija e sulmit me dyshen tashmë të konfirmuar Salihi-Bogdani, ku shkodrani pritet të ketë edhe detyra mbrojtëse duke u kthyer deri në mesfushë për të ndihmuar skuadrën dhe për të rikuperuar topa. Ndërsa Bogdani pritet të jetë “pyka” e repartit ofensiv. Gjithsesi formacioni do të diktohet nga trajneri Kuzhe si gjithmonë zyrtarisht vetëm mesditën e nesërme gjatë konferencës për shtyp në ambientet e stadiumit “Rasunda” në Suedi.