Itali, zhduket shqiptari i arratisur
Policia italiane është vënë në vështirësi për kapjen e shqiptarit të arratisur tri ditë më parë, nga burgu i Ternit. Kur kanë kaluar mëse 48 orë nga arratia spektakolare e shqiptarit Taulant Toma nga burgu i sigurisë së lartë të Ternit në Itali, operacioni policor për kapjen e tij nuk po jep rezultat. Dje rrezja e rrethit të kërkimeve është hapur përtej kufijve territorialë të Ternit, pasi dyshohet se Toma nuk ndodhet më brenda tyre. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, vendndodhja e Tomës nuk ishte gjetur nga policia italiane. Lajmi konfirmohet nga burimet mediatike të vendit fqinj, sipas të cilave shqiptari i arratisur vazhdon të jetë në gjendje "të lirë". Po sipas burimeve, nga autoritetet policore italiane po diskutohet mundësia që Toma të jetë larguar nga Terni. "Sa më shumë kalon koha dhe Toma nuk gjendet po forcohet hipoteza që ai të jetë larguar nga territori Ternit", citonte dje një nga agjencitë italiane të lajmeve. Mësohet se ajo që po e bën gjithnjë e më të besueshëm, këtë mundësi është koha e gjatë e "zhdukjes" së tij. Në operacionin policor për gjetjen e Tomës janë angazhuar një numër i pafund uniformash policore, të mbështetura edhe me qen nuhatës, si edhe dy helikopterë. Kërkimet në terren dhe gatishmëria në postblloqe policie kanë vazhduar edhe gjatë orëve të natës.
ARRATIA
Siguria e lartë e burgut të Ternit ishte konsideruar e "pathyeshme", derisa Taulant Toma arriti pasditen e së premtes të largohej "pa i hyrë gjemb në këmbë" prej tij. I dënuar për grabitje me armë, 38-vjeçarit shqiptar nuk iu desh të priste errësirën e mbrëmjes për të vënë në jetë planin e arratisjes. Rreth orën 16:00 pasi kishte mbaruar një ndeshje futbolli brenda ambienteve të burgut me të bashkë-dënuarit e tjerë ai nuk u kthye më në qeli. Për t'u larguar ai ka përdorur një të çarë në rrjetën metalike që rrethonte fushën e minifutbollit. Hetuesit italianë ngrinin dyshime dje se arratisja ishte e mirorganizuar dhe se Toma është pritur nga bashkëpunëtorë jashtë burgut. Ende është e paqartë mënyra me të cilën ai ka kaluar murin rrethues të burgut pa u diktuar nga rojet. Arratia e shqiptarit nga burgu i Ternit, i cili klasifikohej, si një nga burgjet e sigurisë maksimale shkaktoi polemika të forta dje në shtetin fqinj. Si pjesa më e "errët" e saj është lehtësia me të cilën i dënuari është larguar pa u vënë re nga askush. Policia e Shtetit shpërndau dje foto të Tomës në gjitha stacionet policore, si edhe publikoi në media fotografi dhe përshkrimin fizik të tij. ar.ba